Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshëm ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme para disa ditësh. Për këtë, Albulena Haxhiu të martën deklaroi se PDK po tenton ta ndalë politikisht. Madje ka akuzuar këtë parti, duke thënë se janë në “siklet të madh”.
Kështu është shprehur ajo në një intervistë në ‘Debat Plus’ në RTV Dukagjini.
“Në këtë rast PDK’ja ka siklet të madh. Jo veç njerëzit e PDK’së. E kanë kontestu retroaktivitetin, kjo nënkupton se në rregull jemi me ligjin por i njëjti të vlejë prej momentit të hyrjes në fuqi. Çka ka ndodhë në të kalumen, t’i mbyllim sytë”, ka deklaruar ajo.
Ajo tutje ka akuzuar zyrtarë të PDK’së se kanë krijuar “pasuri të pajustifikueshme”.
Haxhiu ka sqaruar se projektligji parasheh të ketë efekt retroaktiv që nga periudha e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Pra, që nga 2008-a.