Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka folur për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe draft-statutin e përpiluar nga BE-ja.
Hovenier tha se ShBA-ja pret nga Qeveria e Kosovës të ndërmarrë ndonjë veprim për ta dërguar draft-satutin në Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se “kjo është zgjedhje e qeverisë”.
“Por, të jemi të qartë, ky nuk është dokument jozyrtar, ky nuk është diçka që vetëm e kemi dorëzuar ashtu thjesht në mënyrë të rastësishme. Një delegacion i përbërë nga personi më i lartë i Bashkimit Evropian, përgjegjës për dialogun Kosovë-Serbi, me këshilltarët kombëtarë të sigurisë, këshilltarët më të afërt të kancelarit të Gjermanisë, presidentit të Francës, kryeministres së Italisë dhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën dhe Serbinë, erdhën dhe e dorëzuan atë dokument duke thënë: Ne besojmë se ky krijon një Asociacion të komunave me shumicë serbe që i trajton të gjitha shqetësimet e ngritura, që nuk kërkon ndryshime të kushtetutës suaj, nuk ka pushtet ekzekutiv, nuk krijon një shtresë tjetër të qeverisjes”.
“Pra, ka status mjaft të rëndësishëm. Dhe siç i kemi thënë Kosovës, ne besojmë se është mjaft i mirë dhe është i mjaftueshëm që Kosova t’i përmbushë obligimet e saj duke e përdorur këtë draft. Kjo është shumë e fuqishme. Këto nuk janë vetëm një varg idesh të ndonjë organizate këshillëdhënëse. Pra, këshilla jonë më e mirë për qeverinë e Kosovës është të shfrytëzojë këtë mundësi për ta shtyrë përpara. Ekziston vetëm një organ në planet që njëmend mund të vendosë nëse ky draft-statut është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës – vetë Gjykata Kushtetuese e Kosovës”, tha Hovenier në Klan Kosova.
Ai më tej tha se ShBA-ja dhe BE-ja do ta respektonte çfarëdo vendimi të Kushtetueses, teksa shtoi se do të prisnin që edhe Kosova ta bënte të njëjtën gjë, teksa foli edhe për propozimin e kryeministrin Albin Kurti, që drafti të dërgohet në Komisionin e Venecias nga emisari special, Miroslav Lajçak.
“Nuk e di qëllimin e këtij propozimi. Sërish, nuk besoj…. Ne e respektojmë shumë Komisionin e Venecias, por shumë ekspertë të respektuar kanë qenë të përfshirë në hartimin e këtij draft-statuti. Nuk mendoj se kemi frikë nga çka do që Komisioni i Venecias mund të bëjë me të, por nuk e zgjidh problemin themelor. Çështja siç e kuptoj unë apo siç e kam dëgjuar nga qeveria është se nuk janë të bindur se draft-statuti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.
“Komisioni i Venecias nuk mund të marrë një përfundim të tillë. Por, a e dini kush mundet? Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Pra, le ta dërgojmë draftin me ndonjë – sërish, keni të drejtë, kryeministri ka të drejtë, qeveria e Kosovës duhet disi t’i japë ndonjë status përtej statusit të tanishëm për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Por, nga këndvështrimi ynë, do të ishte mirë që qeveria ta ndërmarrë atë hap”, tha ai.