Faton Hajrizi – njeriu që u arratis të shtunën për herën e nëntë nga burgjet e Kosovës është shpallur në kërkim nga Policia. I burgosur për vrasjen e ushtarit rus dhe vepra tjera penale, Hajrizi iku nga Burgu i Smrekonicës të shtunën në orët e mëngjesit me një plan të detajuar. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka dhënë fjalë të mëdha, duke thënë se shumë shpejt pret rezultate nga policia, raporton Gazeta Sinjali.
“Çështje orësh” – tha Sveçla në një konferencë për media në Qafë Morinë, ku ka paralajmëruar se kapja e Faton Hajrizit do të ndodhë shumë shpejt.
Megjithatë, deri më tani s’ka asnjë njoftim për arrestimin e tij edhe pse kanë kaluar më shumë se dy ditë prej kur Hajrizi u arratis.
“Tashmë policia ka bërë angazhimin e saj që të hetojë rastin në plotni, në qoftë arratisjen apo vendndodhjen e tij dhe arrestimin shumë të shpejtë… Policia po punon. Unë jam i bindur dhe policia shumë shpejt do të vijë me rezultate. Ju po i shihni rezultatet e policisë për çdo ditë që të kemi numër minimal të rasteve ku kemi vështirësi në zbulueshmëri, do të thotë zbulueshmëria është maksimale, edhe veprimet e policisë janë jashtëzakonisht efektive. Unë nuk jam shumë i brengosur me këtë, por duke parë efikasitetin e policisë është çështje orësh apo ditësh”, ka thënë Sveçla.
Si në ikjet e tij spektakolare të mëhershme, Hajrizi ishte i përgatitur për t’u larguar nga burgu pa u kapur nga oficerët. Ai u u arratis për të nëntën herë nga burgu, pak pas orës 1 pas mesnatës të datës 06 korrik.
Faton Hajrizi dyshohet se u arratis gjatë periudhës kohore nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 07:00.
I arratisuri më i famshëm në Kosovë arriti që fillimisht t’i shfrytëzojë çarçafët e shtratit, të cilët i lidhi në radiatorin e dhomës ku ai ishte i vendosur. Në këtë mënyrë, Sinjali raportoi se Hajrizi arriti që të largohet nga dhoma përmes dritares në katin e dytë dhe kështu ia doli të depërtojë në katin e parë. Nga aty, ai e kaloi rrethojën e jashtme të burgut dhe u arratis.
Vetëm një ditë më pas, Hajrizi u lajmërua, duke u shfaqur në rrjetin social TikTok, ku foli gjatë për arsyet e arratisjes së tij.
Ai ka treguar për ikjen e tij nga burgu, duke e përmendur si arsye trajtimin jo të duhur ndaj tij – siç pretendon ai – teksa ka theksuar se ndodhet jashtë Kosovës.
Shërbimi Korrektues i Kosovës doli me një komunikatë të dytë për media lidhur me arratisjen e Faton Hajrizit.
Sipas SHKK-së, edhe pse Hajrizi është larguar disa herë në të kaluarën nga institucionet korrektuese, vitet e fundit ka shfaqur sjellje të mira dhe ka respektuar të gjitha rregullat e rendit shtëpiak.
Sipas njoftimit, i dënuari kishte kërkuar transferim në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë dhe bazuar në raportet profesionale, ai ka treguar sjellje të mira dhe ishte në proces të avancuar të risocializimit.
“I dënuari F.H deri më tani ka mbajtur 17 vite e 5 muaj të dënimit, ndërsa kishte mbetje të dënimit prej 7 vite e 6 muaj. Ai ka shfrytëzuar disa herë të drejtën e benificionit të vikendit në shtëpi, hera e fundit e kthimit nga vikendi ishte më 03.07.2024.
Po ashtu, ai kishte parashtruar kërkesën për punësim jashtë institucionit korrektues. Largimi i tij ka ndodhur nga Qendra Korrektuese Smrekonicë, institucion ky i tipit të hapur dhe me elemente të ulëta të sigurisë fizike dhe materiale, ku sjellja e personave të dënuar bazohet në vetëdisiplinën dhe përgjegjësinë personale.
Rasti ka ndodhur më 06.07.2024, ora 01:06 pas mesnate. Zyrtarët korrektues janë pezulluar përkohësisht deri në përfundimin e hetimeve, pasi dyshohet se nuk e kanë vërejtur në kohë largimin e të dënuarit përmes monitorimit të kamerave.” – thuhet në njoftimin e SHKK-së.