Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka analizuar rezultatet preliminare të regjistrimit të popullsisë që u bënë publike javën e kaluar.
Ai thotë se “të dhënat e publikuara janë shumë të pakta”, por thekson se Kosova “ka 200 mijë banorë më pak” se në fund të vitit 2011 dhe se përveç pesë komunave, në të gjitha të tjerat ka rënie të numrit të banorëve.
“Rreth 33% e shtëpive/banesave janë të pabanueshme. Komunat me më së shumti shtëpi/banesa të pabanueshme janë: Dragashi 43%, Istogu 41%, Suhareka 41%, Klina 40%, Gjilani 39%, Vitia 39%, Feriza 39%, Fushë Kosova 38%, Lipjani 35%, Prizreni 35%, Kamenica 35%, e kështu me radhë”, shkruan Hoti në një postim në Facebook.
Megjithëse “zhvillimet demografike në Kosovë janë të ngjashme me vendet e tjera sa i përket trendit”, Hoti thotë se “përmasat e zhvillimeve demografike janë shumë më të mëdha dhe më të shpejta, në veçanti viteve të fundit”.
“Dividenti demografik që vjen nga popullsia në moshë të re duket se nuk po mund të shfrytëzohet mjaftueshëm për të siguruar rritje më të përshpejtuar ekonomike për të siguruar konvergjencë më të shpejtë ekonomike me vendet në rajon dhe në BE. Largimi në masë i kuadrove të specializuar, sidomos në mjekësi, teknologjinë e informacionit, inxhinieri e fusha të ngjashme, po krijon zbrazëti në treg dhe në shoqëri. Kjo do të ketë pasoja afatgjata për ekonominë. Bazuar në numrin e të diplomuarve brenda vitit në këto fusha, është e pamundur të zëvendësohen ata që emigrojnë”, shkruan ai.
Postimi i plotë i Avdullah Hotit:
Kosova me rreth 200 mijë banorë më pak – disa komuna kanë rreth 35% më pak banorë
Të dhënat preliminare për regjistrimin e popullsisë në Kosovë janë bërë publike javën e kaluar. Ky regjistrim u shty për një vit për shkak të dështimeve të Qeverisë së Kosovës për të kryer me kohë procedurat e nevojshme për të nisur regjistrimin. Për këto vonesa, Qeveria e bëri kurban një zyrtar të Agjencisë së Statistikave, i cili kishte raportuar në Komisionin Parlamentar për Buxhet se Agjencia e Statistikave i kishte kryer të gjitha detyrat që ishin në përgjegjësi të Agjencisë. Kështu që, përdorimi i të dhënave nga regjistrimi i popullsisë për çështje të planifikimeve buxhetore, infrastrukturore, ambientale, arsimore e shëndetësore, shtyhet një vit prapa vendeve të tjera evropiane.
Të dhënat e publikuara janë shumë të pakta. Përveç numrit të popullsisë sipas komunave, banesave/shtëpive dhe ekonomive familjare, nuk ka të dhëna të tjera të publikuara në këtë fazë.
Kosova ka rreth 200 mijë banorë më pak krahasuar me regjistrimin e fundit të vitit 2011. Përveç Fushë Kosovës, Prishtinës, Obiliqit, Mamushës dhe Ferizajt, të gjitha komunat e tjera kanë rënie të numrit të banorëve. Kamenica ka 37% më pak banorë; Juniku 35% më pak; Novobërda 33% më pak, Deçani 31% më pak; Rahoveci 26% më pak; Vitia 24% më pak; Suhareka dhe Mitrovica 23% më pak; Klina 21% më pak; Skënderaji, Podujeva dhe Malisheva 20% më pak, e kështu me radhë.
Rreth 33% e shtëpive/banesave janë të pabanueshme. Komunat me më së shumti shtëpi/banesa të pabanueshme janë: Dragashi 43%, Istogu 41%, Suhareka 41%, Klina 40%, Gjilani 39%, Vitia 39%, Feriza 39%, Fushë Kosova 38%, Lipjani 35%, Prizreni 35%, Kamenica 35%, e kështu me radhë.
Në përgjithësi, zhvillimet demografike në Kosovë janë të ngjashme me vendet e tjera sa i përket trendit. Por, përmasat e zhvillimeve demografike janë shumë më të mëdha dhe më të shpejta, në veçanti viteve të fundit. Dividenti demografik që vjen nga popullsia në moshë të re duket se nuk po mund të shfrytëzohet mjaftueshëm për të siguruar rritje më të përshpejtuar ekonomike për të siguruar konvergjencë më të shpejtë ekonomike me vendet në rajon dhe në BE. Largimi në masë i kuadrove të specializuar, sidomos në mjekësi, teknologjinë e informacionit, inxhinieri e fusha të ngjashme, po krijon zbrazëti në treg dhe në shoqëri. Kjo do të ketë pasoja afatgjata për ekonominë. Bazuar në numrin e të diplomuarve brenda vitit në këto fusha, është e pamundur të zëvendësohen ata që emigrojnë.