Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë pritet që deri më 18 korrik t’u dërgojnë ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian komentet e tyre rreth rrugës së zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve për të cilën palët ranë dakord vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.
Dy takimet e fundit në Bruksel ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë dhe në nivel kryenegociatorësh të të dyja palëve që synonin zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjes, përfunduan pa ndonjë rezultat.
Bashkimi Evropian pret komentet e palëve për të hartuar një propozim të ri mbi këtë proces.
Këshilltari i kryenegociatorit të Kosovës Besnik Bislimi, Klisman Kadiu tha se Qeveria do t’i dërgojë komentet e saj në lidhje me zbatimin e marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë në afatin e paraparë më 18 korrik.
Sipas tij, Qeveria ka paraqitur propozime konkrete dhe komente për secilën pikë, të versioneve të planit të sekuencimit, duke dëshmuar konstruktivitetin, si dhe gatishmërinë e vullnetin për zbatim të marrëveshjeve.
“Në vazhdimësi, përgjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, pala jonë ka paraqitur propozime konkrete dhe komente për secilën pikë, të versioneve të planit të sekuencimit, duke dëshmuar konstruktivitetin, si dhe gatishmërinë e vullnetin për zbatim të marrëveshjeve. Që marrëveshjet të zbatohen në plotni, duhet po e njëjta qasje dhe nga pala tjetër, gjë e cila deri më tash, fatkeqësisht ka munguar.”, tha ai për rtv 21.
Kadiu tha se, që marrëveshjet të zbatohen në plotni, duhet po e njëjta qasje dhe nga pala tjetër, gjë e cila deri më tash, sipas tij, fatkeqësisht ka munguar.
Me gjithë trysninë perëndimore, marrëveshja e arritur vitin e kaluar në Bruksel dhe Ohër ende nuk ka nisur të zbatohet, ndonëse Bashkimi Evropian ka theksuar disa herë se ajo është ligjërisht e detyrueshme për palët dhe nga zbatimi i saj varet përparimi drejt integrimeve evropiane.
Në takimin e fundit të nivelit të lartë që u mbajt më 26 qershor në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti refuzoi ta takojë presidentin serb, Vuçiq. Ai paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.
Kurti tha se pa dorëzimin e Milan Radoçiqit dhe grupit paramilitar serb që kryen sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator të vitit të kaluar, nuk mund të ketë mirëbesim në dialogun me Serbinë.
Shefi i ekzekutivit kosovar, nuk pranoi të takohej me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq pa u bërë formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve; tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023, dhe dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës.
Pajtim për mënyrën e zbatimit të Marrëveshjes Bazë, nuk sollën as mbi 7 orë takime bilaterale e trilaterale në nivel kryenegociatorësh një javë më pas në Bruksel.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, e akuzoi palën serbe se dëshiron vetëm zbatimin e pjesshëm të Marrëveshjes Bazë, ndërsa kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, e kritikoi palën kosovare se nuk dëshiron ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.