Në vitet e ’90-ta, sportit kosovar iu morën të gjitha të drejtat e ekzistencës nga regjimi serb. Pavarësisht këtyre kushteve të rënda, me ndihmën e njerëzve bamirës, afaristëve të ndryshëm dhe patriotëve të kohës, sportet mbijetuan, megjithëse në rrethana tepër të vështira.
Sportistët u larguan nga palestrat dhe fushat e futbollit, por dashuria e madhe ndaj sportit, talentet e ndryshme, vullnetarët dhe afaristët e kohës dhanë shkëndijat e para të mbijetesës.
Basketbolli gjilanas, që luante me emrin Mlladost (Rinia), ku talentet shqiptare derdhën djersën e tyre për shumë vite, në vitin 1992 u shndërrua në KB Premia-Drita.
Ky transformim ishte një ndërmarrje e guximshme dhe e domosdoshme për të mos lejuar shuarjen e basketbollit.
Këtë nisem e përqafoi e tërë rinia që luante basketboll. Kryetar dhe donator i këtij klubi u bë afaristi i njohur dhe bamirësi Sait Vokshi, i cili në atë kohë ishte 32 vjeç. Me përkushtimin e tij të pashoq, Vokshi arriti të ndërtojë një ekip që përfaqësonte më së miri pasionin dhe talentin e rinisë gjilanase.
Riorganizimin e klubit e përkrahu edhe aktivisti i madh i sporteve të Komunës se Gjilanit, profesor Hafiz Gashi.
Trajner i këtij klubi u përzgjodh profesori i ekonomisë, Naim Murtezi. Me një kombinim të përpjekjeve të Vokshit dhe Murtezit, KB Premia-Drita filloi të formësohej si një ekip i denjë për të përballuar sfidat e kohës.
Afaristi i njohur që i dha jetë basketbollit, Sait Vokshi, me shumë nostalgji tregon fillimet e udhëtimit të basketbollit gjilanas.
“Ishin kohëra tepër të vështira, ku mbretëronte papunësia e madhe. Rinia kishte mbetur rrugëve, po ashtu edhe sportistët ishin larguar nga objektet e tyre sportive. Nga kjo gjendje ne vendosëm që pushtetit të dhunës serbe t’i kundërviheshim me paralelizëm, duke formuar KB Premia-Drita, duke tentuar që të bëjmë diçka për sportistët dhe rininë tonë,” rrëfen Vokshi.
Kësaj nisme iu bashkëngjitën shumë basketbollistë të rinj e të talentuar, duke dhënë një kontribut të madh për basketbollin dhe sportin gjilanas.
Me kalimin e kohës, ky klub u bë një simbol i qëndresës dhe i përpjekjeve për mbijetesë të sportit shqiptar në Kosovë.
Pas 32 vitesh, Vokshi tregon për organizimin dhe vështirësitë gjatë garave.
“Ishte shumë e rrezikshme t’i kundërvihesh një sistemi policor-ushtarak të Serbisë në atë kohë, por dashuria ndaj sportit dhe popullit i mposhti të gjitha. Ne garuam në kampionatin e Kosovës, duke treguar cilësi dhe shembull profesional, ku në fund arritëm të përfundojmë në pozitën e dytë duke dalur nënkampion. Jam shumë i nderuar dhe krenar që sado pak kontributi im të ketë sjellur rezultate dhe harmoni tek basketbollistët. Në atë kohë, edhe pse ishim të rrezikuar, askujt nuk i bënte përshtypje rreziku që kanosej,” thekson Vokshi.
Ai ka përshëndetur të gjithë ata që kontribuan në mënyra të ndryshme për të mirën e basketbollit dhe sportit kosovar. Po ashtu, trajneri i atëhershëm i KB Premia-Drita, Naim Murtezi, tregon për ecurinë e klubit.
“Ishte vështirë, por edhe krenari të udhëheqësh një klub basketbolli në kushte ekstremisht të vështira. Falë këtyre basketbollistëve dhe njerëzve si donatori dhe kryetari Sait Vokshi dhe kryetari i sporteve të Gjilanit, Hafiz Gashi, ne ia dolëm ta mbajmë gjallë basketbollin, dhe për këtë jam shumë krenar për të gjitha arritjet që i kemi bërë në atë kohë së bashku,” thotë Murtezi.
Pjesë e këtij klubi ishin lojtarë si: Naim Matoshi (Kapiten), Arben Bislimi, Nexhat Ramadani, Burim Maliqi, Rexhep Qamili, Idriz Korqa, Agron Mahmuti, Adhurim Shabani, Gazmend Salihu, Ergin Sherifi, Vesel Salihu, Ahmet Bilalli e disa te tjere, ku shume prej tyre bënë edhe emër të madh në basketbollin kosovar.
Në çdo ndeshje dhe stërvitje, këta lojtarë demonstronin jo vetëm talentin e tyre të jashtëzakonshëm, por edhe një përkushtim të palëkundur ndaj ekipit dhe sportit që e donin.
Ndeshjet klubi i zhvilloi në sallën e shkollës fillore “Selami Hallaqi”.
Sait Vokshi mbetet një figurë kyçe në ringjalljen e basketbollit gjilanas gjatë viteve të vështira të ’90-ta, duke treguar se dashuria ndaj sportit dhe përkushtimi mund të triumfojnë mbi çdo sfidë. Përkushtimi dhe sakrificat e tij, së bashku me ato të bashkëpunëtorëve të tij, kanë lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë e sportit kosovar.
Sot, pas më shumë se tri dekada, trashëgimia e tij vazhdon të frymëzojë brezat e rinj të sportistëve dhe dashamirësve të sportit, duke dëshmuar se përkushtimi dhe pasioni mund të bëjnë ndryshime të mëdha edhe në kohë të vështira. Sait Vokshi është një dëshmi e gjallë se dashuria për sportin dhe komunitetin mund të sjellë ndryshime të mëdha dhe të qëndrueshme./Kryelajmi/