Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka folur para mediave për intervistimin e saj afro 3 orësh nga Prokuroria Speciale lidhur me deklarimet e saj, për arratisjet e fundit nga burgjet e Kosovës.
Ministrja Haxhiu ka thënë se intervistimi i saj është tendencioz dhe se dikujt sipas saj po i pengon puna e Qeverisë.
“Siç e dini me urdhër të PSRK-së, dje dhe sot jam intervistuar në një rast që ka të bëjë me një deklaratë timen që nuk e kam thënë për herë të parë, që ndërlidhet me përpjekjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve për takime, për favore etj. dhe me ç’rast ne si Qeveri nuk funksionojmë si në të kaluarën por që ne e kemi obligim t’i adresojmë reformat në drejtësi për të cilat ju tashmë e dini se po punojmë në vazhdimësi dhe duket se dikujt po i pengon dhe siç duket Prokuroria Speciale po tenton të më pengojë në punën time me ç’rast e keni parë që çdo deklaratë që unë e kam dhënë, ata menjëherë kanë autorizim policinë për ta marrë deklaratën time”, tha Haxhiu.