Shkruan: Selver Xhelili
Kuvendi Komunal i Gjilanit, për disa muaj, është i bllokuar. Gjilani është bllokuar për shumë vendime të rëndësishme në interes të qytetarëve. Vetëm mendojeni mbylljen e Shoqatës së të Verbërve dhe Handikos-it, si rezultat i mungesës së alokimit të mjeteve financiare, gjë që nuk ka ndodhur kurrë më parë, nga asnjë qeverisje e mëhershme lokale. Kjo është çështja më e ndjeshme, pa e llogaritur zvarritjen me pasoja afatgjate, të çdo investimi kapital e projekti madhor për Gjilanin, qoftë edhe me përkrahjen e Qeverisë Kurti 2.
Bllokimi i Kuvendit Komunal është humbje e madhe për qytetarët e Gjilanit, jo për subjektet partiake, as për Kryetarin e Komunës. Duhet me shpejtësi të veprohet e të zhbllokohet Kuvendi Komunal, për hir të qytetarëve të Gjilanit.
Nuk guxon të ndodhë humbja e buxhetit për investimet kapitale për Gjilanin e kalimi në regjionet e tjera. Duhet të lihen anash inatet e ndërskamcat politike e partiake.
Vetëm për interesin e qytetarëve, duhet të tejkalohet kjo gjendje e rënduar politike, sociale, ekonomike. Shihni se si është katandisur Gjilani, ka stagnuar në çdo zhvillim. Ka shumë probleme të akumuluara. Projektet e mëdha kanë mbetur me vjet pa u realizuar. Vetëm kujtojeni Stadiumin e qytetit, se është pezulluar për aq shumë vjet.
Edhe opozita duhet të reflektojë. PDK-ja ka vullnet politik për të ndihmuar në këtë proces, por nuk është përgjegjësia e saj. Përgjegjësia kryesore dhe e vetme mbetet mbi Kryetarin e Komunës së Gjilanit. PDK-ja e bën këtë për hir të qytetarëve të Gjilanit. Del përtej interesit partiak, në të mirë të Gjilanit e Kosovës. Kështu ka vepruar gjithmonë dhe kështu do të veprojë.
Qytetarët e Gjilanit e dinë që Kryetari i Komunës ka ngërç politik. Ka shpërfillje totale ndaj bllokimit të Kuvendit Komunal. Është kryetar jotransparent. E dëshiron mbylljen dhe mungesën e kritikës konstruktive. Ai duhet të bëjë nisma që të zhbllokohet Kuvendi Komunal. Duhet të gjejë forma të komunikimit demokratik me opozitën e të bëhet funksional Kuvendi Komunal. Opozita nuk po kërkon diçka të pamundshme, por vetëm diçka parimore e tejet demokratike: transparencën para qytetarëve të Gjilanit.
PDK-ja është e interesuar që kjo qeverisje lokale ta çojë mandatin deri në fund, ashtu siç ia kanë besuar qytetarët e Gjilanit, dhe po përgatitet me planprogram e ekip të mbarë, që ta zhvillojë Gjilanin. PDK-ja në vitin 2025, do të rikthehet fuqishëm në zgjedhjet lokale, nga besimi në rritje i qytetarëve dhe me interesin e vetëm: Gjilanin dhe qytetarët e saj.