Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Ura e Ibrit duhet të hapet, pavarësisht prej kundërshtive që ky plani i qeverisë ka hasur nga ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe Bashkimi Evropian.
Ambasadorët e vendeve të QUINT-it, përfshirë ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, i shkuan sot në takim Kurtit. Ia komunikuan atij qëndrimin e tyre kundër ndryshimit të statusit të Urës së Ibrit.
Pas takimit, Kurti ka insistuar në planin e tij dhe të qeverisë.
Në një komunikatë për media të premten, Qeveria e Kosovës tha se rivitalizimi i Urës së Ibrit parashihet edhe me planin e Bashkimit Evropian.
“Në po atë plan thuhet se ‘riviitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim’”, thuhet në komunikatën e qeverisë.
“Andaj ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi.”
Në komunikatën e qeverisë thuhet se ura është “simbol i lëvizjes së lirë, e që është vlerë dhe liri themelore e Bashkimit Evropian”.
“Ura është simbol i integrimit, e që është punë e përbashkët e Kosovës me partnerët tanë. Qeveria është edhe për lëvizje të lirë edhe për integrim të qytetarëve”, thuhet në fund të komunikatës.
Në komunikatën e qeverisë, po ashtu u tha se kryeministri Kurti i ka njoftuar ambasadorët e QUINT-it për zhvillimet në vend dhe temat aktuale, përfshirë për rezultatet e masave dhe politikave të punësimit dhe mirëqenies në katër komunat veriore të Kosovës./Paparaci.com