Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku – Rexhepi, ka kërkuar “ndëshkimin” me votë për qeverinë e Albin Kurtit për shkak të shtrenjtimit të energjisë elektrike.
Sipas Bunjaku-Rexhepit, Kurti ka urdhëruar shtrenjtimin e energjisë elektrike e ky vendim që po ekzekutohet nga KEDS-i është miratuar nga ZRRE-ja.
Gjatë qverisjes së Albin Kurtit, energjia elektrike është shtrenjtuar dy herë, teksa tani i është shtuar edhe tarifa për kyçjen e saj, thotë Bunjaku-Rexhepi.“Nga data 1 gusht 2024, për çdo shkyçje nga rrjeti elektrik, në rast borxhi ndaj KEDS-it dhe tejkalimit të afatit dyjavor të pagesës së faturës, do të paguani shumën 17.70 euro për rikyçje. Andaj, përveç dy herë, ngritjes së çmimit të rrymës gjatë mandatit të Qeverisë Kurti 2, tani kemi edhe tarifë të dyfishtë për kyçje e shkyçje të rrymës! Me ngritjen e çmimeve të artikujve elementarë, mosngritjen e pagave në sektorin publik, ata nuk e kanë këtë problem, se janë rehatuar në kolltukun e pushtetit, por për qytetarët tanimë e kanë të vështirë edhe vetë ekzistencën. Kurti bën filma në Veri, por Kosova po zmbrapset nga kjo politikë degraduese. Votat ua morën në vitin 2021, por shpresa po humbet, populli po varfërohet e jeta e qytetarëve është e rënduar. Kosova po kthehet mbrapa, e rruga e saj është përpara e ndritshme, por jo me këta pushtetarë! Kryeministri po urdhëron, ZRRE-ja po e miraton, kurse KEDS-i po ekzekuton. Qytetarë, koha e ndëshkimit të Qeverisë Kurti 2 po vjen shpejt! Ndëshkojeni me votë në zgjedhjet e ardhshme, qoftë edhe për shtrenjtimin e rrymës”, thuhet në njoftimin e deputetes së LDK-së.