1. Për egjiptianin mysliman, Faraoni ishte i mallkuar i Zotit. Për egjiptianin nacionalist, Faraoni ishte mbret egjiptian, që ia kujton lavdet e dikurshme të Egjiptit të Vjetër.
2. Feja lindi më herët se kombi.
3. Feja i bashkon njerëzit pavarësisht. Kombi i bashkon njerëzit pavarësisht dhe varësisht nga feja.
4. Gjersa religjioni i konekton njerëzit në bazë të besimit të përbashkët në rituale, doktrinë fetare, kombi i bashkon në bazë të kujtesës së përbashkët, gjuhës, traditave, folklorit, territorit etj.
5. Për disa kombe, feja është pjesë e pandashme, për disa e ndashme. Për disa kombe, kur kanë shumë fe brenda një kombi, distancimi nga tejtheksimi i një feje, është parakusht i homogjenitetit kombëtar.
6. Heronjtë e kombit dhe fesë mund të jenë të ndryshëm. Për një mysliman, që tejthekson elementin fetar, Skënderbeu ishte luftëtar edhe antiosman, rrjedhimisht kundër myslimanëve, ndërsa për një shqiptar me tejtheksim nacionalist, ishte hero. Sidoqoftë, Skënderbeu është profili më përshkrues i fatit të kombit shqiptar: me sfond familjar ortodoks, i rritur në ushtrinë myslimane, me aleanca me katolikët. Ishte simbol i neskafes 3 in 1: sheqer, kafe e qumësht. Tri fe brenda të njëjtit komb.
7. Individët e së njëjtit gjak, janë familje. Disa familje bëjnë fisin. Disa fise etninë. Kur etnia ka aspirata për vetëqeverisje, kombin. Feja mund të jetë e ndryshme edhe brenda të njëjtës familje. Edhe etnitë përzihen brenda familjes, me martesa interetnike.
8. Feja ndërrohet lehtë. Kombi më vështirë e më rrallë. Feja është vulnerabël.
9. Në shtete sekulare e laike, feja është më e spostuar privatisht, kurse kombi më i shfaqur më publikisht.
10. Brenda një shteti ka fe të ndryshme. Brenda një shteti, ka etni të ndryshme. Kombi është përbashkësi më e madhe se çdo përbashkësi tjetër, përfshirë edhe atë fetare./Avni Rudaku/