Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se cilado datë që vendoset për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, është e pranueshme për këtë parti.
Kështu ka deklaruar sot deputetja e VV-së, para mediave pas një konference që ky subjekt politik kishte për çështjen e subvencionimit të librave shkollor.
“Ne e kemi thënë vazhdimisht që kemi qenë të gatshëm për zgjedhje dhe sidomos tani që jemi në gjashtëmujorin e fundit të qeverisjes, për neve data e përcaktuar nuk është shumë e rëndësishme, sa është e rëndësishme gatishmëria për të marrë pjesë në zgjedhje. Kjo i mbetet pastaj presidentes për ta caktuar. Ne kemi dërguar normalisht propozimin tonë, vendimi përfundimtar sigurisht që i takon presidentes. E kemi dërguar propozimin, por cilado datë që vendoset nga presidentja është e pranueshme”, deklaroi ajo para mediave.
Kujtojmë se siç u raportua sot, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar 2 shkurtin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani konfirmoi dje se Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kryeministër, Albin Kurti, i cili nuk mori pjesë në takimin konsultativ, ia ka dërguar tashmë me shkrim datën e preferuar nga subjekti i tij për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëkohësisht kryeministër më ka njoftuar me shkrim lidhur me datën e preferuar të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Osmani, pa treguar se cili ka qenë propozimi i Kurtit.
Ndërsa, në anën tjetër, partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK, si datë për zgjedhjet e kanë dhënë 26 janarin.
Ditë më parë, e para e shtetit priti në takim kryetarët e partive politike parlamentare për konsultimin për caktimin e datës së zgjedhjeve. Presidentja Osmani bëri të ditur se sipas Ligjit, janë katër data, 26 janari, 2, 9 dhe 16 shkurti, pasi parashihet që ato të mbahen të dielave.
“Sipas Ligjit, janë katër data për zgjedhje, 26 janari, 2 shkurti, 9 shkurti dhe 16 shkurti, duke qenë që e parasheh Ligji vetëm të dielave. Diskutimi ishte vetëm në kontekst të këtyre datave. Nuk kishte insistim të tepërt, kishte preferenca. Disa parti preferojnë 26 janarin, disa të tjera 9 shkurtin, dhe 16 shkurtin, dhe kishte nga ato që s’kishte preferencë, se cilado datë ju përshtatej”, kishte deklaruar Osmani pas takimit.
Pas takimit, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi bëri të ditur se Osmanit i ka propozuar 26 janarin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të vitit 2025.
Ashtu si PDK, edhe LDK-ja e ka parë më të përshtatshëm 26 janarin për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve të rregullta.
Propozimi i njëjtë për datë erdhi edhe nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Sipas tij, 26 janari është data e parë në përputhje me afatet ligjore.