Besnik Boletini, Arta Berisha dhe së fundi Safet Kabashaj, kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre në bordin e Radiotelevizionit publik pas lajmit tejet kontrovers të Slobodna Bosna-s, të cilin më pas e publikoi RTK-ja pa asnjë verifikim.
Pak minuta me parë Safet Kabashaj, anëtar bordit të RTK-së, konfirmoi për Nacionalen dorëheqjen e tij.
“Po, është e saktë. Kam dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të Bordit të RTK-së”, tha ai për Nacionalen.
Gjatë të shtunës, në profilin e tij në “Facebook”, Besnik Boletini dha njoftimin për dorëheqje nga pozita e kryetarit të Bordit të RTK-së.
Ai sqaroi se dorëheqja e tij lidhet me skandalin e shkrimit të Slobodna Bosna të publikuar në RTK, ku linçoheshin Gazeta Nacionale dhe portali Periskopi.
Ai ka bërë me dije se gjetjet e raportit tregonin në mënyrë të qartë se RTK i kishte shkelur standardet profesionale.
Boletini ka akuzuar zëvendësdrejtorin e RTK-së, Adi Krasta, se nuk ka dashur të marr masa ndaj atyre që shkaktuan skandalin.
“Sot gjatë mbledhjes së bordit, kam dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit dhe anëtarit të Bordit të RTK-së. Përpjekjet për të adresuar skandalin e publikimit të një artikulli të paverifikuar, gjatë këtyre javëve ishin të përditshme dhe të vazhdueshme, përkundër vështirësive. Gjetjet e raportit të komisionit ishin të qarta. Që nga data 9 gusht, zëvendësdrejtori Adi Krasta (që i ka përgjegjësitë e drejtorit) nuk po e adreson këtë raport. Të jesh në krye të transmetuesit publik edhe për një ditë është privilegj, por edhe përgjegjësi. E siç po shihet ai nuk ka vullnet për të marrë masa ndaj atyre që e shkaktuan skandalin”, ka shkruar ai.
“Në këtë situatë bordi i kishte duart e lidhura. Për këtë arsye u bë e domosdoshme emërimi i një ushtruesi të detyrës së drejtorit dhe hapja e konkursit po ashtu sot. Gjetja e një personi që e merr udhëheqjen në këtë situatë delikate ishte e vështirë. Ai që është në detyrë nuk po e bënte, patatja e nxehtë e priste dike tjetër. Megjithatë një kandidat ishte i gatshëm ta merrte detyrën. Qëndrimi ishte që ai ta adresojë me urgjencë raportin e komisionit dhe të marrë masat sipas ligjit dhe rregulloreve, të bëhet një komunikatë dhe të kërkohej falje ndaj dy mediave të apostrofuara dhe rasti të merrte epilog shumë shpejtë. Ishte një përpjekje e fundit e imja“, tha ai ndër të tjera.
Arta Berisha gjithashtu konfirmoi dje se dorëheqja e saj ndërlidhet me skandalin e shkrimit të Slobodna Bosna të publikuar në RTK, ku linçoheshin Gazeta Nacionale dhe portali Periskopi.
Në lidhje me lajmin e publikuar nga RTK-ja, Berisha ka thnë se janë shkelur standardet profesionale të gazetarisë, dhe sipas saj bordi është gënjyer.
“Duke qenë mbështetëse e standardeve profesionale në gazetari, të cilat i kam respektuar maksimalisht qoftë si gazetare aktive, qoftë si anëtare e Bordit të RTK-së, për mua ka qenë e paparanueshme që shkelësit e standardeve profesionale të kalojnë pa u ndëshkuar sipas rregulloreve të RTK-së. Raporti i Komisionit të RTK-së është i qartë dhe tregon se në rastin e fundit – botimin e një teksti të paverifikuar dhe të plasuar fillimisht nga një medium tjetër – janë shkelur standardet profesionale të gazetarisë, për më keq: bordi është gënjyer. Kjo për mua është e patolerueshme. Shpresoj se praktika e mosndëshkimit të mos rikthehet në RTK.” – ka thënë ajo ndër të tjera.
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) përgëzoi për punën Boletinin dhe Berishën ndërsa vendimet i tyre i pa “të marra në interes të respektimit të standardeve më të larta të gazetarisë etike dhe të ruajtjes së integritetit të mediave të shërbimit publik”.
“OSBE nënvizon rëndësinë e llogaridhënies dhe transparencës për ruajtjen e besimit të publikut në RTK dhe përkushtimin e saj për raportim të paanshëm dhe të përgjegjshëm mediatik dhe transmetim publik”, kërkuan nga kjo organizatë ndërkombëtare.
“Tashmë është e domosdoshme që Kuvendi i Kosovës të zgjedhë anëtarët e rinj të bordit të RTK-së si prioritet i lartë sapo të mblidhet në mënyrë që bordi të funksionojë përsëri. Emërimi i anëtarëve të rinj të bordit dhe i një drejtori të ri të përgjithshëm duhet të jetë transparent dhe i bazuar qartë në merita”.
Kujtojmë se ditë më parë “Slobodna Bosna” fshiu pjesën ku pa as edhe një fakt të vetëm, pa asnjë të dhënë, e hiç asgjë, pretendoi se gazeta Nacionale dhe Periskopi janë të financuara nga Serbia, për ta rikthyer sërish më pas.
Gazeta Nacionale po ndjek rrugët ligjore ndaj mediumit skajshmërisht kontraverz boshnajk “Slobodna Bosna” e cila mbush regjistrat e lajmeve të rreme, dezinformatave dhe manipulimeve me fakte që janë evidentuar nga kontrollues të certifikuar ndërkombëtarisht të fakteve, si “Raskrinkavanje” që është e certifikuar nga “Rrjeti Evropian i Kontrolluesve të Fakteve”, “Rjeti ndërkombëtar i kontrolluesve të fakteve” si dhe nga “Meta” që ka nën pronësi Facebook-un dhe Instagramin.