Lirie R. Aliu
(Fragment nga Monografia per Valltarin karizmatik te Karadakut, Zija Aliu…..)
Që të dy valltarët janë mjeshtër të vërtetë të kërcimit e gjithnjë ishin prijës të kërcimit në grupet e tyre. Kjo mund të paraqiste ndonjë pengesë minimale, por në realizim nuk doli ashtu.
Dy botëra në dukje të kundërta i shfaqën tiparet qenësore etnopsikologjike të shqiptarit.
Hamiti (Hamit Aliu) është serioz i mrrolur, nganjëherë i mërzitur, i mbushur me probleme të jetës; të lë përshtypjen e një njeriu të ngadalshëm por kur del në skenë e ia merr valles, ai është një njeri tjetër.
Ai ishte aq energjik, sa edhe i hareshëm, aq i shpejtë, sa edhe racional, aq shpjegues, sa edhe aktori i vërtete i pantomimës dhe i gjestikulacioneve të cilat asnjëherë nuk janë të tepërta.
Në anën tjetër Zijaja (Zija Aliu) edhe në jetë bën përshtypje të njeriut të hareshëm, optimist, i shpejtë.
Në valle me seriozitetin më të madh i qaset realizimit të secilit karakter të valles.
Ai di të m’rrolët kur duhet, të qeshë kur kërkohet, di të djallëzohet kur krijohet atmosfera; kreator i vërtetë i valles sonë popullore.
Ata që të dy arritën të harmonizohen në lëvizje, në ritëm, në gjeste dhe me sukses të plotë arritën kulminacionin e shprehjes së kuptimësisë së valles konkrete.
Përmes realizimit të tyre, u kuptua qartë kontinuiteti i traditës sonë.
Edhe, kështu përmes një grupi relativisht të vogël, publiku francez për një çast në mënyrë të drejtpërdrejtë arrit të njoftohet pak me historinë tonë, pak për kulturën tonë dhe pak për shpirtin tonë përherë të mërzitur, herë të gëzuar, por gjithnjë të fortë dhe rezistues…