Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, qëndroi të enjten për një vizitë në Kosovë. Burns u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në kryeqytet. Në atë takim ishte i pranishëm edhe drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti.
Askush nga palët nφ Kosovë nuk është deklaruar rreth këtij takimi deri tani.
Ndërkohë, të enjtën më vonë forca të shtuara të Policisë së Kosovës janë parë pranë ndërtesës së AKI-së në Fushë Kosovë.
Tani për tani nuk dihet nëse Burns u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Gjatë kësaj jave, Kurti ka qëndruar në Çikago të Shteteve të Bashkuar, ku mori pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike, me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik.
Burns është ish-ambasador i SHBA-së në Rusi. Ai është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, pasi ai është edhe anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë.
Derisa vizita e tij në Prishtinë dhe Beograd nuk u konfirmua zyrtarisht, një zyrtar i Qeverisë amerikane konfirmoi për REL-in për mbërritjen e Burnsit në Sarajevë në fillim të kësaj jave.
Në Sarajevë ai u takua me homologët e tij nga sektori i inteligjencës, me anëtarët e Presidencës së këtij shteti dhe me ministrin e Jashtëm të Bosnjës, ku diskutoi edhe për retorikën secesioniste dhe veprimet e Millorad Dodikut, presidentit prorus të entitetit serb të Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska, tha zyrtari amerikan.
Vizita e Burnsit në Kosovë vjen në kohën kur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti.
SHBA-ja dhe vendet e tjera të BE-së e kanë kritikuar disa vendime dhe veprime të ndërmarra së fundi nga Qeveria e Kurtit, që janë konsideruar si “të njëanshme” dhe “të pakoordinuara”.
Departamenti amerikan i Shtetit i ka kërkuar Qeverisë Kurti që të rikthehet në “angazhim konstruktiv dhe të ngushtë” me Uashingtonin, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, teksa Uashingtoni po ashtu po kërkon që institucionet e Kosovës të mos e hapin për qarkullim urën mbi lumin Ibër, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë.
Ambasada amerikane në Prishtinë, Presidenca e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk e kanë konfirmuar vizitën e Burns në Prishtinë.
/GazetaSinjali/