Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Gjilan, në afat prej 30 ditësh, ndaj të pandehurit Z.D., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Rrezikimi i trafikut publik’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se, i pandehuri Z.D., më 29 Gusht 2024, rreth orës 15:10 minita, në rrugën Gjilan – Preshevë, më saktësisht në fshatin Velekincë, nga pakujdesia, ka rrezikuar trafikun publik, ashtu që duke drejtuar automjetin, ka vepruar në kundërshtim me dispozitën ligjore të nenit 50, të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, në atë mënyrë që, duke mos e përshtatur shpejtësinë e automjetit të tij dhe duke mos pasur kujdesin e duhur për këmbësorë, me pjesën e parë të automjetit e godet këmbësorin, tani të ndjerin R.Xh., i cili në momentin kritik po e kalonte rrugën, me ç’rast shkakton aksident me lëndime të natyrës vdekjeprurëse, i cili për shkak të lëndimeve të pësuara dërgohet për ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit Regjional në Gjilan dhe aty ndërron jetë.
I njëjti me urdhër të prokurorit kujdestar gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh, për veprën e sipërshënuar penale.