Pas dështimit të Komunës së Gjilanit për të nënshkruar kontratën për rinovimin e stadiumit në këtë komunë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndërhyrë dhe e ka marrë përsipër këtë projekt, raporton Demokracia.com.
Tenderi për rinovimin e stadiumit në Gjilan u anulua përfundimisht për shkak të tentativës për manipulim, një problem që u konstatua nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP). Ky organ i kishte dhënë mundësinë Komunës së Gjilanit të hapte një tender të ri, por Ministria e Kulturës vendosi të menaxhoi vetë tërë procesin.
Sot është shpallur një tender me vlerë 15 milionë euro, e barabartë me vlerën e tenderit të dështuar të Komunës së Gjilanit. Titulli i tenderit është: “Punë ndërtimore për zbatimin e projektit të hollësishëm për rregullimin hapësinor, arkitekturën dhe inxhinierinë, për rindërtimin dhe përshtatjen e Stadiumit në Gjilan, në përputhje me Kategorinë IV të rregulloreve dhe udhëzimeve teknike për infrastrukturë të stadiumeve, të miratuara nga UEFA”.
Ky aktivitet i prokurimit ishte iniciuar nga Komuna e Gjilanit, e udhëhequr nga Vetëvendosje dhe Alban Hyseni. Sidoqoftë, OSHP ka vendosur përfundimisht të anulojë këtë procedurë për shkak të shkeljeve të konstatuara. “Aprovohet si pjesërisht e bazuar ankesa e OE N.N.P ‘Euro Construction’ e datës 18.06.2024 lidhur me aktivitetin ‘Renovimi i Stadiumit të Qytetit të Gjilanit’. Anulohet aktiviteti i prokurimit. Në afat prej 10 ditësh, AK duhet ta informojë OSHP-në për të gjitha veprimet e ndërmarra lidhur me këtë aktivitet të prokurimit, përndryshe OSHP mund të marrë masa ndaj AK-së”, thuhet në vendim.
Paneli i OSHP-së ka vendosur të miratojë gjetjet e ekspertit të tyre.
“Në bazë të pretendimeve ankimore, shkresave të lëndës, dosjes së tenderit dhe raportit të vlerësimit nga komisioni, eksperti rekomandon anulimin e aktivitetit të prokurimit dhe ritenderimin nëse Komuna e Gjilanit ka interes të ritenderojë. Rekomandojmë që kriteret e përzgjedhjes gjatë ritenderimit të jenë më të qarta dhe Autoriteti kontraktues të vlerësojë vetëm mbi këto kritere”, thuhet në raportin e ekspertit, përcjell Demokracia.com.