Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se dialogu me Serbinë ndodhet në qorrsokak për shkak të fajit të shtetit serb, teksa ka theksuar se nuk sheh rrugëdalje nga ky proces.
Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Konjufca ka thënë se pikënisje e “shkatërrimit” të dialogut ka qenë sulmi terrorist në Banjskë.
“Unë konsideroj se sa i përket perspektives së dialogut, dialogu ndodhet në një qorrsokak prej të cilit nuk po shohë dalje. Këtij qorrsokaku i ka paraprirë Serbia. (Dialogu) e ka pasur arkivolin më 24 shtator me sulmin në Banjskë. Pikërisht për këtë arsye është shkatërruar edhe minimumi i mirëbesimit që kërkohet që të këtë një proces të negociatave që të vazhdoj normalisht. Ajo që ndodhi në Banjskë ishte gozhda e fundit në arkivolin e dialogut”, ka thënë Konjufca, duke adresuar kritika edhe për bashkësinë ndërkombëtare për “mbylljen e syve” në rastin e bllokadave të pikave kufitare.
“Nëse i mbyll sytë, si në rastin e mbylljen e kufijve në Serbi, sepse ai ndodhi nga shteti serb, shteti serb i lejoi kriminelët për t’i mbyllur kufijtë. As një reagim nuk e pash nga ana e Brukselit as nga bashkësia ndërkombëtare, bashkësia ndërkombëtare është e njëanshme”, ka thënë Konjufca. /EO