Pesë vjet më parë, Gjilani humbi një nga zërat e tij më të respektuar në fushën e gazetarisë, Ardita Sylejmanin.
Ajo ndërroi jetë në Budapest, gjatë procesit të lindjes, duke lënë pas tre fëmijë. Ardita ishte një figurë e njohur dhe e dashur, e cila u përkushtua me profesionalizëm ndaj punës së saj si gazetare dhe nënë.
Kujtimi i saj do të mbetet i gjallë në zemrat e familjes, miqve dhe kolegëve që e njohën dhe vlerësuan punën dhe përkushtimin e saj.
Xhaxhai i saj, Fehmi Sylejmani, ka kujtuar me dhimbje dhe dashuri mbesën e tij, Ardita Sylejmanin, përmes një postimi prekës në Facebook.
Në këtë status, ai reflekton për ditën e rëndë të 19 shtatorit 2019, kur Ardita ndërroi jetë para kohe, duke lënë pas një zbrazëti të thellë, por edhe tre fëmijë të mrekullueshëm.
Fehmiu e përshkruan Arditën si një vajzë të dashur, nënë të përkushtuar dhe gazetare të respektuar, duke theksuar virtytet e saj të larta njerëzore, dashurinë për familjen dhe përkushtimin ndaj profesionit.
Shkrimi i plotë:
19 shtatori i vitit 2019 ditë e rëndë dhe e trishtueshme, që nuk do të harrohet për jetë e mot.
Pikërisht 5 vjet më parë Ardita jonë e dashur ndërroi vendbanim të përhershëm. Këtë herë për ne, u nisë para kohe (Zoti i Madhërueshëm e di më së miri) udhës së moçme të cilës i bien të gjithë …..
Ajo shkoi, duke na lënë mungesë dhe zbrazëtsirë t ë madhe e të përhershme, por na la tre engjëj të mrekullueshëm.
Ishte vajzë shumë e dashur dhe e edukuar, nënë tepër e përkushtuar, shoqe besnike, fjalëmbël, kolege e respektuar dhe profesioniste e vërtetë.
Ajo gëzonte respekt kudo që ishte, posedonte virtyte të larta njerëzore.
Shfaqte urtësi, dashuri dhe mirësi. E donte fortë familjen, përkushtohej me shumë dashni për fëmijët dhe bashkëshortin e saj.
Ajo ishte gazetare, mjeshtre e shkrimit dhe leximit, artikuluese dhe me zë të qartë e të thekshëm, e pashme dhe e shquar në pedanteri, elegancë e saktësi.
Do të jemi përgjithmonë krenar me veprën dhe shëmbëlltyrën e personalitetit të dashur dhe të urtë, siç ishte Ardita.
Do ta kujtojmë përgjithmonë, jo vetëm ne, por edhe ata që e njohën.