Qytetarët e Gjilanit përballen prej kohësh me një problem shqetësues në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) “Nagip Rexhepi” – mungesa e gjërave esenciale për trajtimin shëndetësor shkruan Radio Star.
Situata është përkeqësuar aq shumë, sa që ata janë të detyruar të blejnë vet pajisjet dhe mjetet mjekësore për të marrë shërbime bazike.
Një rast i fundit i një qytetari, i cili kishte shkuar për të marrë një injeksion në QKMF, tregon se sa e vështirë është bërë kjo situatë. I dëshpëruar nga mungesa e shiringave në qendër, ai u detyrua të dalë dhe të blejë një pako me shiringa nga xhepi i tij. Për t’i ardhur në ndihmë të tjerëve, ai vendosi që këto shiringa t’ia dhurojë QKMF-së, në mënyrë që qytetarët e tjerë të mos kenë nevojë të largohen nga qendra për të blerë pajisjet e nevojshme.
I pyetur për këtë veprim, qytetari anonim shprehu zhgënjimin e tij të thellë për situatën e krijuar në qytetin e Gjilanit. Sipas tij, kjo situatë është shumë shqetësuese dhe kërkon ndërhyrje urgjente nga autoritetet lokale dhe qendrore për të furnizuar QKMF-në me mjetet esenciale. Ai theksoi se jo të gjithë qytetarët kanë mundësi ekonomike për të blerë vet pajisjet e nevojshme për trajtimet mjekësore.
Ky rast tregon mungesën e menaxhimit të duhur të furnizimeve në institucionet shëndetësore dhe sjell në pah nevojën urgjente për përmirësime në këtë fushë. Situata e krijuar është një thirrje për autoritetet që të veprojnë sa më parë, në mënyrë që të garantojnë trajtime dinjitoze dhe pa kosto shtesë për qytetarët e Gjilanit.