Kryeministri i vendit, Albin Kurti bashkë me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, si dhe një pjesë të kabinetit të tij qeveritar, kanë bërë sot homazhe pranë varrit të heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku në njëvjetorin e rënies së tij.
Kurti tha se rreshteri Bunjaku lartësoi shtetin e Kosovës edhe për popullin e Kosovës, por edhe opinionin publik ndërkombëtar.
“Rënia e Afrim Bunjakut është dëshmi që Kosova edhe i del zot vetes edhe ngadhënjen në çdo betejë. Sot që po flasim, Kosova nuk ka burime të brendshme që e cenojnë sigurinë apo stabilitetin e të cilat ne nuk arrijmë t’i kontrollojmë apo menaxhojmë. Anembanë Kosovës, në çdo cep është shteti i Kosovës, shteti i Republikës demokratike dhe të pavarur të Kosovës, të cilës i shërbejmë me nder dhe përkushtim. Numri i policëve me kadetë të rinj po rritet, morali i policisë sonë edhe ushtrisë tonë kurrë s’ka qenë më i lartë, andaj kjo sakrificë, ky flijim i rreshterit të policisë, të heroit Afrim Bunjaku ia ka vlejtur fort për Policinë, për shtetin dhe për gjeneratat e ardhshme”.
Ai tha se me rënien e tij nuk ranë policë të tjerë, ndërsa për kolegët e Afrim Bunjakut që ishin me të kur u sulmuan, tha se nuk lejuan që trupi i tij të bie në dorën e grupit terrorist.
“Duke rënë Afrim Bunjaku nuk kanë rënë shumë policë të tjerë dhe ata policë që ishin në betejë bashkë me të nuk lejuan që trupi i pajetë i heroit tonë të bie në duart e forcave armike e forcat që ishin të financuara dhe të dirigjuara nga Serbia me paramilitarë që kishin shumë më tepër armatim sesa Afrim Bunjaku me shokë ikën me turp, i lanë të vrarët dhe të plagosurit e tyre dhe sot fshihen nëpër Serbi sepse e dinë që e kanë humbur betejën njëherë e përgjithmonë me shtetin tonë dhe me popullin tonë liridashës”.
Kurti tha se për vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku përgjegjëse është Serbia dhe se ajo duhet të japë përgjegjësinë. Këtu ai kërkoi ndihmën e ndërkombëtarëve.
“Serbia është përgjegjëse, andaj Serbia duhet të japë përgjegjësi. E në këtë pikë ne kërkojmë mbështetjen, ndihmën, përkrahjen e faktorëve ndërkombëtarë. Idealet e dëshmorëve për neve do t’i jetësojmë e po i jetësojmë, ndërkaq kujtimin tonë për ta do ta përjetësojmë e po e përjetësojmë. “/GazetaSinjali/