Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kritikuar ashpër kryetarin e Gjilanit për dorëzimin e tij të vazhdueshëm përballë projekteve madhore të qytetit, duke e akuzuar për paaftësi dhe mospunë.
Sipas PDK-së, Gjilani po përballet me një gjendje të jashtëzakonshme për shkak të dështimit të kryetarit për të realizuar projekte kyçe si stadiumi, autostrada, impianti i trajtimit të ujërave të zeza dhe shumë të tjera.
PDK nënvizon se kryetari ka preferuar të merret me projekte të vogla dhe pa rëndësi, ndërkohë që zhvillimi i qytetit është bllokuar.
Shkrimi i plotë:
Gjendjes së jashtëzakonshme të krijuar në Gjilan i ka paraprirë mospuna dhe paaftësia e kryetarit të komunës i cili është dorëzuar për secilin projekt madhor të qytetit.
1. Është dorëzuar në projektin e ndërtimit të stadiumit të Gjilanit, po mundohet me ndërtu ndonjë fushë sportive nëpër fshatra.
2. Është dorëzuar në projektin e autostradës, po ndërton rrugë të oborreve të militantëve të VV-së.
3. Është dorëzuar në projektin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza, e po i shpërlanë disa kanalizme.
4. Është dorëzuar në projektin e palestrës sporteve, po mundohet me i renovu disa salla të sporteve me dy gova ngjyrë fasadash.
5. Është dorëzuar për projektin e Zonës Ekonomike, po kërkon me ndërtu inkubator të biznesit, e që ka harru se ekziston për më shumë se 12 vite.
6. Është dorëzuar për projektin e bulevardit të qytetit, e po i pastron sheshet ekzistuese të ndërtuara nga ish qeverisjet.
7. Është dorëzuar për projektin qarkores së qytetit, e nuk po mund t’i përfundojë hyrje daljet e qytetit.
8. Është dorëzuar në projektin e varrezave të reja të qytetit, e nuk po mundet as me i pastru ato ekzistuese.
9. Është dorëzuar në ndërtimin e palestrës në Zhegër, e po ndërton një fushë sporti në Haxhaj.
10. Është dorëzuar në projektin e ndërtimit të kampusit të Universitetit, ndërsa ka mbyllë shkollën profesionale të agrobiznesit.
Pasi je dorëzu plotësisht, qu jep dorëheqje. Sepse ditë e më parë Gjilani duhet të shkojë në zgjedhje lokale. Qytetarët nuk e tolerojnë degradimin dhe bllokimin e zhvillimit të Gjilanit.