Shkruan: Avni Rudaku
Gjatë kësaj vere, ka pasur të rinovohet rruga dhe trotuari prej Universitetit të Gjilanit e deri te semaforët e vetëm që ka qyteti, pra, rruga “Adem Jashari”, por me kërkesat edhe të bizneseve lokale, nuk nisën punimet më herët, pasi do të dëmtoheshin në kulmin e ardhjes së mërgimtarëve dhe rritjes së fuqisë blerëse. Sidoqoftë, punimet u stërzgjatën shumë dhe filluan në muajin tetor, e pas pak ditësh, ra shi, por fati i mirë, që sërish po ka ditë me diell. Punimet filluan në muaj të gabuar. Bile në muajin shtator, do të mund të fillonin, sepse ashtu-kështu, stina e pushimeve verore nga mërgimtarët, veçse ka filluar edhe ajo të ngushtohet si trotuari, e të jetë më pak se një muaj.
Punimet tash po vazhdojnë me një intensitet të lartë, por krijuan një pakënaqësi të madhe për mua si këmbësor. Trotuari ashtu-kështu ishte i ngushtë, jo i gjerë, u ngushtua edhe më tej vende-vende dhe sa shumë prisja që do të zgjerohej, e aq më pak të ngushtohej. Kjo rrugë nuk është më e frekuentuar si para 10 vjetësh pas sheshit të ri, zgjerimit të qytetit, krijimit të lagjeve të reja me bare, qendrave të reja tregtare që po e kushtëzojnë edhe destinacionin e turmave të njerëzve, siç është Albi Mall, por megjithatë, për shkak të kompleksit të shkollave të mesme, universitetit, konviktit, shumica e nxënësve, mësimdhënësve, studentëve e profesorëve, i bie të ecin në këtë trotuar publik nga kompleksi i shkollave të mesme e deri në qendër të qytetit të Gjilanit. Zakonisht nxënësit nuk ecin në formë treni, por ecin grupe-grupe, prandaj, edhe më shumë do ta vështirësojë ecjen e tyre, ngushtimi i mëtejshëm i trotuarit.
Projekti i rrugës “Adem Jashari”, deri më tash siç shihen punimet, u bë për shumë kritika:
Punimet nisën vonë.
Edhe kur filluan punimet, shëmti e madhe estetike urbane, ku në vend që trotuari të shtrohej me pllaka, gurë etj., që janë të zakonshme për trotuar, u shtrua me material asfalti, siç shtrohet rruga e mjeteve motorike, për sa i kemi përcjellur punimet deri më tash si qytetarë. Edhe pamje e shëmtuar, edhe jopraktike, nëse do të plaste ndonjë gjë nën tokë, duke pasur më shumë vështirësi për hapje të lokalizuar të gropës. Pllakat hiqen më lehtë, ndërsa asfalti më zor, apo jo?!
Ngushtimi i trotuarit, do ta bëjë tepër të vështirë qasjen për persona me aftësi të kufizuar, për prindërit me karroca fëmijësh, për më të moshuarit…
Do të ketë me gjasa rritje të përplasjes këmbësorë-shoferë.
Do të rritet edhe ndotja e mjedisit, pasi që veturat sa herë ndalen e parkohen, edhe më shumë ndotin ajrin për këmbësorët e kalimtarët e rastit. Edhe si pamje, veturat e dëmtojnë rëndë estetikën urbane dhe nuk të pushojnë sytë kur sheh aq shumë makina përskaj trotuarit të ngushtuar edhe më tej.
Trotuari në Gjilan, në shumicën e rasteve, është me pengesa të llojllojshme. Vetëm nëse shohim trotuarin në anën e kundërtë të shkollës fillore “Selami Hallaçi”, është vështirë i kalueshëm për shkak të paketave me pemë e perime. Me pemë e perime, kudo thuajse është i bllokuar trotuari, në tërë Gjilanin, edhe nëse paguajnë tarifa shtesë për shfrytëzim të hapësirës publike dhe fajin për bllokim, ia lë direkt institucioneve komunale, dhe aspak atyre. Ka raste, kur rritet prania e insekteve për shkak të kalbjes së frutave në trotuare, duke iu vështirësuar këmbësorëve, edhe më tej ecja e lirshme. Në shumë trotuarë, nuk mund të ecësh lirshëm as nga qentë endacakë, që pushojnë individualisht dhe në grupe, siç është trotuari përskaj shkollës “Selami Hallaçi”. Trotuari diku është i zënë nga karriget e kafebareve. Diku me saksi dekorative, absurde, që i vënë aq të gjera. Diku me shporta mbeturinash. Diku me parkim veturash. Diku është më lart, diku është më poshtë, diku duhet patjetër duhesh të dalësh në rrugë veturash, për t’u kthyer sërish në trotuar. Diku trotuarët janë me disa puseta që rrezikojnë këmbësorët, ose janë dëmtuar pllakat e gurët e trotuarit dhe nuk është intervenuar me shpejtësi, por është pritur për disa vjet për sanime. Edhe nëse ka tarifa për shfrytëzimin e trotuarve, politikat janë të gabuara për lejimin e tyre, pasi është bërë shumë kokëçarëse të ecësh në trotuarët e Gjilanit, për shumë kohë.
As qeverisjet e kaluara lokale, as edhe kjo e sotmja, nuk arritën të bëjnë çlirimin e trotuarit në Gjilan, për këmbësorë, për të moshuar, nëna shtatzënë, persona me aftësi të kufizuara, prindër me karroca, fëmijë, nxënës…
Në cilin vend të botës së zhvilluar, ngushtohet trotuari për vetura?! Në cilin vend të botës që e kemi model për ta arritur, nuk është më me prioritet këmbësori, por shoferi?!
Kjo qeverisje lokale me në krye Alban Hysenin, është në vitin e fundit të qeverisjes katërvjeçare, duke premtuar shtesë edhe projekte për çdo javë nga një. Projekti i asfaltimit të rrugës “Adem Jashari”, është një shije e shëmtuar urbanistike. Për bizneset lokale të kësaj rruge, do të mund të bëhej ndonjë alternativë tjetër për parking veturash dhe për klientët e tyre. Sidoqoftë, me këtë qasje, vizion, projektet e tjera gjithashtu mund të jenë zhgënjyese, nëse nuk ndërron krejt mentaliteti qeverisës, ndonëse koha është e shkurtër dhe kur punohet vetëm në muajt e fundit para fushatës zgjedhore, projektet mund të kalojnë edhe më shkel-e-shko. Prandaj, nga unë, e ka refuzimin tim si qeverisje lokale, me përjashtimin e vetëm, parkun Baja (me ndonjë vërejtje për teposhtëzën që mund të jetë e rrezikshme dhe ka mundur të bëhet më funksionale dhe më praktike). Sidoqoftë, ky park ka transformuar lagjen që ka qenë për dekada vetëm errësirë dhe e frikshme edhe për ta kaluar këmbësorët, e lëre më për të pushuar, ushtruar e për t’u argëtuar. Parku “Baja” është projekti i vetëm tamam për duartrokitje për këtë qeverisje lokale. Por për një komunë, të mbahet mend për një park të vogël, është fare pak. Prandaj, me këto projekte të shëmtuara si të rrugës “Adem Jashari”, të ngushtimit të trotuarit dhe shtrimi me “tzivtë”, e meriton refuzimin qytetar. Ka mbetur fare pak kohë për t’i realizuar tërë ato projekte të mëdha që i ka premtuar gjatë qeverisjes lokale dhe po që se edhe filluakan, ato marrin kohë, madje ca vjet. Sidoqoftë, nëse do ta vlerësoja aktualisht për qeverisje, deri më sot, merr notë jokaluese. Dobët. E për ngushtimin e trotuarit, gjasat për t’i ngelur, do të ishin të mëdha.