Deputetja e LDK’së, Hykmete Bajrami thotë se nga janari 2025, bizneseve do t’ju dyfishohet e trefishohet tatimi në pronë.
Bajrami përmes një shkrimi në Facebook thotë LDK shpreh shqetësimin e saj për ndryshimet e fundit në Ligjin për Tatimin në Pronë, të miratuara nga qeveria e tanishme.
Ajo thotë se ligji i ri prezanton një normë të dyfishtë progresive të tatimit në pronë dhe parashikon tatimin edhe për tokat bujqësore të kultivuara, duke rënduar më tej barrën mbi qytetarët, bizneset dhe fermerët.
“Ky ndryshim përbën një pengesë për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e sektorit privat në vendin tone”.
Tutje, Bajrami thotë se nëse Abdixhiku fiton në zgjedhjet e ardhshme, do të rishikohet ligji për Tatimin në Pronë, në mënyrë që qytetarët të mos paguajnë një normë të dyfisht progressive të tatimit në pronë.
“Qeveria e ardhshme, e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku, do të rishikojë Ligjin për Tatimin në Pronë, duke u siguruar që qytetarët të mos paguajnë një normë të dyfishtë progresive të tatimit në pronë. Ne do të rikthejmë praktikën e mëparshme, ku tatimi në pronë bazohet në vlerën e tregut të pronës, ku vetvetiu ata që kanë prona me vlerë më të madhe paguajnë më shumë, ndërsa ata me prona me vlerë më të ulët paguajnë më pak”.
Ajo shton se Lidhja Demokratike e Kosovës garanton se askush nuk do të paguajë tatim për tokat e punuara, duke ndihmuar fermerët dhe inkurajuar zhvillimin e bujqësisë.
“Qeveria e ardhshme, e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës me kryeministër Lumir Abdixhikun, do të krijojë politika që mbështesin rritjen dhe zhvillimin e biznesit, duke eliminuar barrierat e panevojshme dhe duke ofruar mundësi reale për përparim në ekonomi dhe më gjerë. Përmes një qasjeje të drejtë dhe të ndershme, ne do të sigurojmë që ekonomia të zhvillohet në dobi të mirëqenies dhe prosperitetit të vendit tone”, përfundoi Bajrami.