Takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në nivel të kryenegociatorëve, do të zhvillohet nesër në Bruksel.
Nga Bashkimi Evropian kanë thënë se agjenda është si në të kaluarën, duke lënë të nënkuptohet se ende s’ka ndonjë dakordancë për takim trepalësh.
“Mund të them vetëm se agjenda është siç ka qenë edhe në të kaluarën. Palët duhet të fillojnë urgjentisht me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe duhet që të dyja palët të jenë në gjendje të bien dakord më në fund për një progres në Dialog”, ka thënë Peter Stano në një konferencë për media, shkruan Paparaci.
Tutje, ai ka bërë të ditur se është në vullnetin e palëve nëse ato duan të zhvillojnë takim trepalësh.
“Ne përpiqemi të mbajmë gjithmonë koreografinë e zakonshme, por siç e dini shumë mirë, nëse do të ketë një takim trepalësh, kjo varet shumë nga vullneti i të dyja palëve për t’u takuar në një format të tillë trepalësh”, ka thënë tutje Stano.