Fillimisht, vetë kryeministri Albin Kurti tha se Autostrada e Gjilanit do të përfundojë në vitin 2023 – gjë që nuk ndodhi.
Pastaj, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në fillim të 2024-tës duke folur për ATV-në, premtoi se segmenti nga Banulla në Bresalc do të përfundojë brenda këtij viti.
Por, 8 muaj pas këtij premtimi, vartësi i kryeministrit Albin Kurti, përkatësisht shefi i zëvendësministrit Durmishi, nuk dha asnjë afat as të përafërt, se kur do të përfundojë autostrada e filluar në vitin 2018.
Terreni më i vështirë konsiderohet të jetë në këtë pjesë, andaj akoma po punohet në gërmimin e bjeshkëve. Megjithatë, në disa pjesë ka lëvizje pozitive.
Derisa autostrada është larg përfundimit, qytetarët që frekuentojnë rrugën Prishtinë – Gjilan, përballen edhe me një sfidë tjetër.
Ura në afërsi të Badovcit ka dy vjet që është jashtë funksionit, megjithëse kohëve të fundit punimet për ndërtimin e urës së re kanë avancuar.
Javë më parë, pikërisht në këtë vend vdiqën tre persona, pasi vetura me të cilën po udhëtonin ra në liqen.