Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar pas lajmit për skandalin me humbjen e pasaportave të mërgimtarëve.
MPJD-ja ka mohuar se dokumentet kanë humbur teksa ka shtuar se operatori ekonomik ka shkaktuar vonesa në dërgimin e këtyre dokumenteve.
“MPJD ka ndërmarrë masa të menjëhershme dhe në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi për t’i dhenë fund kësaj kontrate, duke mos lejuar abuzimin me detyrimet ndaj qytetarëve dhe institucioneve të shtetit të Kosovës”, thuhej në sqarim.
“Në lidhje me raportimet e mediave rreth shkëputjes së kontratës me operatorin ekonomik për ofrimin e Shërbimeve Postare Diplomatike, njoftojmë opinionin publik se operatori ekonomik i cili ishte përzgjedhur me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit në muajin qershor të këtij viti, ka shkaktuar vonesa të papranueshme në dërgimin e dokumenteve”, ka pretenduar MPJD-ja.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës deklaron që nuk bëhet fjalë për humbje dokumentesh, por për vonesa në mbërritjen e tyre në destinacionet e caktuara.
“MPJD siguron qytetarët e Kosovës se pajisja me dokumente do të përshpejtohet dhe se asnjë tolerim nuk do të ketë për operatorët që cënojnë cilësinë dhe ritmin e shërbimeve ndaj qytetarëve tanë”.