Vendimi i cili u miratua dje nga Qeveria për rritjen e pagës në sektorin publik nuk u prit mirë nga Sindikata e Arsimit pasi këta të fundit kanë pritur që rritja të jetë 30%. Nga Partia Demokratike këtë rritje e kanë quajtur pazar të Qeverisë para fushatës. E për IKD ky vendim është në kundërshtim me ligjin për paga.
Nga 616 euro, një mësuesi në Kosovë pritet t’i bëhet paga 726 euro.
Me vendimin e Qeverisë së Kosovës, koeficienti i mësimdhënësve pritet të rritet nga 5.6 në 6.6.
E kjo rritje për të gjithë punonjësit e sektorit publik do të bëhet me dy faza, fillimisht në janar do të ketë rritje për 55 euro e pastaj në korrik 55 euro të tjera.
Por me këtë rritje nuk janë të kënaqur nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit.
“E konsiderojmë ngritje të pamjaftueshme dhe i shton pakënaqësi në sistemin arsimor ngase kërkesat e kryesisë janë që të ngritet vlera e koeficientit për së paku 30% e jo në janar e në vitin e ardhshëm por ajo të bëhet në tetorin që jemi tani. Dhe kjo nuk ka ndodhë dhe erdhi lajmi i pakëndshëm për të gjithë, kjo ka shtuar pakënaqësitë në arsim”, ka thënë Rrahman Jasharaj nga SBASHK
Për Partinë Demokratike të Kosovës, vendimi së martës i Qeverisë është me prapavijë të fushatës elektorale.
“E shoh një qasje jo serioze nga Qeveria në shkuarje. Një kryeministër serioz dhe një qeveri me kredibile pagat i rrit në fillim të mandatit dhe vazhdon me atë rritje duke përcjellë me një planifikim ligjor deri në përfundim mandati. Kjo më shumë është një pazar i Kurtit për fushatë po fatkeqësisht nuk ndikon në mirëqenie të administratës publike pasi është një rritje shumë e vogël. Madje kur e ka bërë një veprim të tillë një pretendim për blerjen e votave i cili nuk do të ketë sukses. Të paktën është dashur me ja bo një pagë dinjitoze”, ka thënë deputeti Hajdar Beqa.
Por sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, mënyra e rritjes së pagave nga kryeministri Kurti është në kundërshtim me nenin 42 të ligjit për paga.
“Qëllim i ligjit që të evitohen mundësitë që partitë në pushtet, qeveria në një farë mënyrë ta keqpërdor pushtetin dhe të marrë vendimin për rritjen e pagave në kohë të fushatave elektorale dhe këtë siguresë e kishin e përcaktuar me nenin 42 të ligjit për paga i cili përcakton në mënyrë të qartë se me ketë nen ndalohet ndryshimi i strukturës se komponentët apo nivelizimi i koeficienteve përmes vendimeve administrative apo vendimeve të tjera. Mënyra se si Qeveria dje nuk është rritja e koeficientit në ligjin për ndarje buxhetore, por u propozua që të bëhet ristrukturimi i koeficientit apo kompleteve apo nivelimit të tyre, kjo qasje është në kushtrim të plot me nenin 42”, vlerëson Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosoës për Drejtësi.
Në nenin 42 të ligjit për paga, përcaktimi i ekuivalencës thuhet se me hyrjen në fuqi të këtij ligji ndalohet çdo ndryshim në strukturën, komponentët apo nivelet. Ky ligj ka hyrë në fuqi me 5 janar 2023./teve1/