Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka njoftuar se Ministria e Financave ka shtyrë për vitin 2026 zbatimin e normës tatimore progresive për prona komerciale.
Sipas Ligjit për tatimin në pronë, kjo normë është paraparë të fillojë së zbatuari nga janari i vitit të ardhshëm, ose rreth një muaj para zgjedhjeve.
Në njoftimi thuhet se kjo është bërë pas presionit dhe insistimit të Asociacionit, që në vazhdimësi ka thënë se kjo normë është ngarkesë dhe barrë e rëndë e shtuar për pronarët e pronave të paluajtshme komerciale.
“Në mbledhjen 227 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ministri i Financave, Transfereve dhe Punës Hekuran Murati paraqiti Ligjin e Buxhetit për vitin 2025. Në elaborimin e dispozitave të këtij Ligji, ministri Murati ndër të tjera njoftoi se është futur dispozita që ka të bëjë me shtyrjen e afatit për zbatimin e tatimit të normës tatimore progresive në pronat e paluajtshme komerciale për vitin 2026”, thuhet në njoftim.
AKK-ja e ka mirëpritur këtë vendim të ekzekutivit.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës mirëpret këtë vendim të Qeverisë duke vlerësuar se kërkesa jonë ka qenë e arsyeshme dhe e argumentuar me fakte se kjo është e panevojshme në këtë fazë. Vlen po ashtu të ceket se shumica e komunave të Republikës së Kosovës ia kanë ulur tatimin në pronë qytetarëve për rreth 33 %”, thuhet në njoftim.
Me Ligjin për Tatimin në Pronë kjo normë është paraparë të fillojë së zbatuari nga janari i vitit 2025, ashtu që:
Pronat me vlerë deri në 100,000 euro – norma minimale 0.10%,
Pronat me vlerë 100,000-500,000 euro – norma minimale 0.20%,
Pronat me vlerë 500,000-1,000,000 euro – norma minimale 0.30%,
Pronat me vlerë 1,000,000-5,000,000 euro – norma minimale 0.40%,
Pronat me vlerë mbi 5,000,000 euro – norma minimale 0.50%.