Dita e sotme ka nisur me një lajm bombastik për shuarjen e Klubit të Basketbollit Drita nga Gjilani. Ky klub që dikur mbushte palestrën dhe i cili kishte sjellë shumë lojtarë edhe matanë Atlantikut, sot është në ditët më të vështira. Por, a është shuar apo jo KB Drita, aq më tepër që sivjet ishte paralajmëruar se do të nis ngritjen e vet.
Si rrodhën gjërat në klubin bardh e kaltër? Në kampionatin që sivjet ka përfunduar, Drita ka rënë edhe nga Liga e Parë e Kosovës, që ishte rangu i dytë për kah forca në basketbollin kosovar. Krejt kjo ndodhi për shkak kushteve të vështira në klub, ikjes së lojtarëve cilësorë e ndërrimit të gjeneratave. Pas këtij mossuksesi të madh u ndërmorën hapa që klubi të organizohet dhe u gjetën edhe donatorët dhe mbeti që klubi nga Organizatë Joqeveritare të shndërrohej në SHPK, gjë e cila edhe ndodhi dhe iu hap rrugë privatizimit, gjë që ndodhi. Dritës i ishte dhënë dritë jeshile që me organizimin do t’i mundësohet që të mbetet në Ligën e Parë të Kosovës. Klubi me kohë ndërmori hapat për nisjen e stinorit, u morën lojtarë me të cilët mendohej se do të ktheheshin në elitën e basketbollit kosovar, por që procedurat e licencimit po ecnin ngadalë e besa kishte edhe ekipe nga Liga e Parë që nuk pranonin që KB Drita të inkuadrohej në këtë ligë, ngase ajo shihej si pretendente që të bëhej kampione. Ndodhi si ndodhi, KB Drita ngeli në Ligën e Dytë, donatorët e rinj nuk ishin të gatshëm të merrnin përsipër harxhime të mëdha ashtu siç kishin premtuar edhe lojtarët sikur nuk deshën të luajnë pa u paguar, andaj doli lajmi se Drita po shuhet, gjë e cila edhe u botua nëpër mediume, pati reagime të partive politike, adhuruesve të Dritës, por edhe të pushtetarëve.
Ndërkohë që nisja e garave po afrohet dilemat mbesin. I pari që doli me lajmin ishte kapiteni dhe trajneri Qëndrim Demi, i cili i frustuar dhe zhgënjyer me atë që po ndodhte në klub në profilin e tij në facebook ka shkruar:
Përfundon rrugëtimi i klubit të basketbollit “Drita” meshkujt . Një klub me një histori të pasur dhe një trashëgimi të ndërtuar me mund e përkushtim nga breza të tërë, sot po mbyll kapitullin e tij të rëndësishëm në fushën e sportit.
Drita nuk ishte vetëm një klub, ishte simbol i pasionit dhe i bashkimit të komunitetit tonë. Ishte vendi ku qindra të rinj u formuan, ku fëmijët dhe të rinjët e gjetën shpresën dhe krenarinë përmes sportit. Mirëpo, për shkak të vështirësive financiare dhe mungesës së mbështetjes së duhur, ky udhëtim ka ardhur në fund.
Ndonëse “Drita” sot shuhet, shpresa mbetet që një ditë të rilindë për t’i dhuruar komunitetit tonë sërish atë ndjesinë e veçantë që vetëm një klub si ky mund të ofronte.
Nuk ka shkuar shumë kohë dhe ka reaguar edhe Dega e LDK-së, e cila për shuarjen e klubit e ka akuzuar kryetarin Alban Hyseni, të cilin e ka quajtur administrator të basketbollit. Ja komunikata e Degës së LDK-së në Gjilan:
Administratori basketbollist e shuan Dritën e qytetit të basketbollit
Sot sportdashësit, e në veçanti tifozët e K.B Drita, u shokuan me vendimin qe ky klub ka marrë. Klubi ka njoftuar për shuarjen e tij, në mungesë të mjeteve për ta mbajtur gjallë ende aktivitetin e tyre.
Në krejt këtë situatë, sytë të gjithë i kanë kthyer kah basketbollisti, administratori i Komunës, që për sportin, tash e tri vite, ka veç fjalë.
Para 3 muajsh, siguroi klubin dhe tifozët, se K.B Drita ka zgjidhur problemin financiar dhe se klubi po synin majat e basketbollit vendor. E krejt e kundërta ndodhi sot, klubi nuk arriti të mbijetojë, duke shuar aktivitetin e tij.
Faleminderit për emocionet K.B Drita, basketbollistë e trajnerë, dhe gjithë ju që me përkrahjen tuaj keni mbajtur gjallë klubin për gjithë këto vite!
Sporti gjilanas meriton shumë më shumë e shumë më mirë!
E ashpër në reagimin e saj ka qenë edhe dega e PDK-së në Gjilan, e cila gjithashtu ka lëshuar një komunikatë, duke akuzuar gjithashtu kryetarin e komunës Alban Hyseni dhe duke thënë se
aty ku involvohet Kryetari i Komunës, dështimi është i garantuar!
Ja komunikata e tyre:
Klubi i Basketbollit “Drita” në komunën e Gjilan kishte një histori të jashtëzakonshme dhe e gjitha Komuna e sportdashësit mburreshim me rezultatet e arritura.
Mbajmë mend kur palestra e sporteve stërmbushej nga adhuruesit e basketbollit. Mirëpo, mê në fund u desh që në krye të Gjilanit të vij një kryetar komune i cili, pos që po dështon në të gjitha projektet që fillon, ai u involvua edhe në sport dhe kësaj radhe konkretisht në basketboll. Rezultati i angazhimit të tij nuk zgjati dy muaj dhe tanimë u shua klubi.
Kujtojmë se Kryetari i Komunës më 13 gusht të këtij viti doli me një postim : “KB Drita drejt sukseseve të reja”. Në vazhdim ai shtoi : “Më në fund, pas një angazhimi të gjatë e aspak të lehtë, K.B. DRITA tashmë ka zgjidhur problemin
financiar.
Bashkërisht po synojmë majat e basketbollit vendor. Shumë shpejt K.B DRITA rikthehet me basketboll cilësor e atmosferë të zjarrtë”.
E TASH KEYETAR CILI DO TË JETË KOMENTI JUAJ? A U ARRITËN MAJET E BASKETBOLLIT?
A U RIKTHYE ATMOSFERA E ZJARRTË?
Sigurisht që jo, klubi u shua!!!
Përndryshe, për më keq, u shkua aq larg saqë KB “Drita” u shua fillimisht si klub si OJQ dhe u pastaj u privatizua duke u regjistruar si biznes i ri, që do të thot se historiku i këtij klubi u shua përnjëherësh dhe e kaluara zyrtarisht nuk mund të rikthehet.
Pas kësaj, filloi kampionati i rregullt dhe klubi fare nuk mori pjesë në dy ndeshjet e para kampionale, e që automatikisht e humb të drejtën e vazhdimit të kampionatit. Tani jo vetëm që elimonohet nga garat, por do të ketë sanksione tjera nga FBK.
PDK-Dega në Gjilan, shpreson se ky kryetar nuk ka takuar edhe klube tjera, sepse do ti gjej fati i njejtë!
PDK-Dega në Gjilan shpreh keqardhjen e shuarjes së këtij klubi, por edhe kërkon llogaridhënie për të gjithë ata të cilët u involvuan në këtë rast.
Komuna është këmbëngulëse se KB Drita nuk është shuar e për këtë ka reaguar Kushtrim Zeqiri, drejtor për Kulturë, Rini e Sport, I cili ka shkruar:
Klubi i basketbollit Drita nuk është shuar.
Ata që historikisht kanë keqmenaxhuar fondet publike dhe kanë lënë pas dore sportin, si dhe ata që njihen për trajtimin e dyshimtë të buxhetit publik, kanë përhapur edhe një herë pretendime të pabaza.
Le të shohim mbështetjen e ofruar për K.B. Drita që nga fillimi i mandatit tonë:
2022 – 5,600 €
2023 – 10,000 €
2024 – 8,000 €
23.600 € gjithsej për 3 vite!
Kjo ishte mbështetja në vitet para nesh:
2021 – 4,300 €
2020 – 0 €
2019 – 5,000 €
9300 € gjithsej për 3 vite!
Nën qeverisjen tonë, klubi i basketbollit Drita ka marrë mbështetje financiare rekord. Kryetari i komunës gjithashtu ka siguruar sponsorizim për klubin. Pjesëmarrja në gara është një çështje proceduriale dhe rregullohet nga rregulloret e brendshme të Federatës së Basketbollit dhe MKRS-së.
Së fundmi, për ata që pengojnë çdo projekt dhe çdo hap përpara të qytetit tonë:
MOS GËNJENI!
Kapakun kësaj pune ia vë drejtori sportiv i KB Drita, Arben Bislimi, i cili thotë se klubi nuk është shuar. Ai ka thënë se gjithëçka do të sqarohet nesër (e martë), kur do të ketë një takim të përbashkët të faktorëve relevantë dhe kur definitivisht do të dilet me një qëndrim të përbashkët, e i cili me shumë gjasë do të jetë që KB Drita do t’i vazhdojë garat në Ligën e Dytë të Kosovës në Basketboll dhe se do të ketë vijueshmëri drejt nja rangu më të lartë të garave./kryelajmi.com/.