Dogana e Kosovës ka thyer rekord duke mbledhur mbi 1.5 miliard euro të hyra për 11 muajt e parë të vitit.
Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, Dogana ka rritur të hyrat për 10.5 % më shumë.
“Gjatë njëmbëdhjetë muajve të parë të vitit 2023, të hyrat e mbledhura ishin 1.36 miliardë euro, ndërsa këtë vit janë mbledhur 146.1 milionë euro më shumë. Ky trend pozitiv, që ka nisur të shfaqet vitin e kaluar, ka vazhduar të përforcohet në vitin 2024, duke konfirmuar përkushtimin e Doganës për të maksimizuar të hyrat”, ka njoftuar Dogana.
Po ashtu është bërë e ditur se janë përmirësuar procedurat doganore, është intensifikuar lufta kundër kontrabandës dhe rritur transparenca.
“Dogana e Kosovës mbetet e angazhuar për të vazhduar kontrollet rigoroze dhe të vazhdueshme, duke bashkëpunuar ngushtë me autoritetet kompetente për të mbrojtur ekonominë dhe sigurinë e vendit. Institucioni inkurajon qytetarët të raportojnë çdo akt të dyshimtë ose joetik përmes numrit pa pagesë 0800 50095, për të ruajtur integritetin dhe transparencën e shërbimeve”, thuhet në një postim.