Shpresa Kurteshi-Emini
Muaji qershor është një ditë me rëndësi të veçantë për Gjilanin dhe qytetarët e Gjilanit. 19 vite më parë, me gjithë ngrohtësinë e stinës, qershori solli me vete lirinë, shpresën dhe besimin për të ardhmen tonë, e cila deri atëherë po cenohej nga kthetrat e armiqve tanë përreth.
Gjithsesi, me meritorët për këtë ditë, janë dëshmorët, ata që ranë duke luftuar patrembur për çlirimin e vendit në çdo skaj të tij, janë veprimtarët e çështjes kombëtare, të cilët, me aktivitetin dhe sakrificën e tyre e tyre i treguan botës si duhet të fitohet liria, pa harruar edhe faktorin ndërkombëtar, veçanërisht SHBA-të dhe NATO-n që dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm që Kosova të fitojë paqen dhe të drejtën meritore për të ndërtuar të ardhmen e saj, ashtu siç i takon.
Qershori, veçanërisht dita e çlirimit të Kosovës, 12 qershori dhe, dita e çlirimit të Gjilanit, 15 qershori, do të kujtohen gjithmonë si data që bënë kthesën rrënjësore në historinë më të re të Kosovës, bashkë me 17 shkurtin, që kurorëzoi shtet bërjen e këtij vendi.
Pa dyshim që këto akte, kanë edhe akterët kryesorë, ata që ishin dhe vazhdojnë të mbeten promotorë të ditëve të qeta që ne po i gëzojmë sot.
Për të nderuar këto merita, Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën solemne të 17 shkurtit, ka shpallur qytetarë nderi Hafiz Gagicen, Hasan Malen e Afrim Kqikun, të cilët, në forma të ndryshme kanë kontribuar për qytetin e Gjilanit dhe vendin e tyre, Kosovën.
Tani që jemi të lirë, mbetet detyrë e jona që bashkërisht të angazhohemi e të punojmë shumë për ndërtimin e së ardhmes së vendit tonë dhe qytetit tonë. Paqja na e ka dhënë këtë mundësi.
…………………..
(Autorja është kryesuese e Kuvendit Komunal në Gjilan)
Aktet e mëdha historike i kanë edhe akterët e tyre
Ndani këtë artikull