Lagja me rrugët e kalldrëmit dhe kujtimet e jetës!
Rrëfimi për Çiflik mëhallën – vazhdimi i dytë i pjesës së parë!
Gjilani dikur dhe sot – nëpër ngjyrat e kohës!
Ah Gilan, ah zaman! Ah Gjilan! Ah kohë…! Lagja Çiflik, që i thonin Çiflik mëhalla, shtrihej në pjesën qendrore të qytetit, ku kishte dyqane e zeje të ndryshme. Kujtimet nga zhvillimet e jetës në atë lagje dikur, na rikthejnë restrospektivën – të kaluarën në kohën tonë, që ne të jemi në rrjedha të mënyrës së jetesës së atyre që jetuan para nesh. Për më tepër, për të kuptuar se jeta ka një ritëm, ka një vazhdimësi, por kurrë ndërprerje! Sepse të kaluarën nuk mund ta vizatosh e ta shkruash sipas dëshirës e politikës, por ashtu siç ishte…
Me rrëfimin për Çiflik mëhallën, në vazhdimin e dytë, dr. Shevqet Mehmeti sjell kujtime interesante për emra njerëzish e familjesh të asaj kohe që lanë gjurmë, për shpërnguljet, për barnatoren e parë, çerdhen e parë, karrocën e parë me rrota gome, për hanet e para të qytetit, për gjelltorën, farmacinë, furrën, etj, etj…
Ah Gilan! Ah zaman…! Ah Gjilan! Ah kohë…! Aty ku nuk ka gjurmë e kujtime, e kaluara është një iluzion!
2.
Çiflik mëhalla kishte rrugët me kalldrëme, lumi Banja gjatë shirave ngritej dhe vërshonte kopshtet dhe shtëpitë. Si mund të mos kujtoj mullirin e Hajdarit, që ishte aty ku është ambulanca.
Ah Gilan! Në gjirin tënd u hap barnatorja e parë në Kosovë, me 1908, nga Nadir Halil Ibrahim beu, përballë konakut të Kajmekanit.
Si mund të harroj Amir Gërxhen, xha Dautin që shteti ia konfiskoi pronën për ta ndërtuar postën; Agushin, nallbanin, që kishte djalë Zejnen, fotografistin, që ishte vendosur në pronë të motrës Sabrije, që kishte djalë Memin Beqirin.
Më kujtohet shtëpia e xha Sefedinit që shpërngulet në Turqi, i cili ishte dhëndër i Saliqavëve, shtëpia e Hasanxhikut, Rashitit, me mure të larta. Si mund të harrohet shtëpia e Tomë Popoviqit te Shtëpia e Shëndetit, që shpesh e goditnin automobilat gjatë vozitjes. Si mund të harrohet Vllada Popoviqi, djali i Tomës që kishte bërë kërdi me 1945 në masakrën e Gjilanit.
Çiflik mëhalla kishte çezmen e Srezit, çezmen e Simonoviqëve dhe të Haki efendiut, që ishin prezente edhe para vitit 1945. Si mund të harrohet furra e Ilazit ku punonte babai i Ibrahim Shehut, kur për Ramazan blenim pitalka te nxehta, për Bajram dhe dasma dërgonim bakllavat me i pjekë. Sa kënaqësi na ofronin festat e tilla! Sa lezet kishte jeta!
Çiflik mëhallë, më duhen shumë faqe per ty! Ti je një shpellë e madhe për të gërmuar e hulumtuar! Si mund ta harroj çerdhen e parë në Gilan, me 1960, në sokakun ku sot jeton familja e Xhavit Dakut!
Xha Hysen Pozharani e Bajrush Ovqari kishin tufat e deleve që ishin për lakmi me pa. Xha Murati dhe Malishevalitë ishin arabaxhi të njohur, që të parët sollën karrocën (kerrin) me rrota te gomes dhe më të i bartnin farkatarët romë në tregjet (pazaret) e Bujanocit, Kamenicës, Vitisë dhe Ferizajit. Aty ku ka qenë “Jugobanka” deri me 1922, ka qenë hani i Kerim Qerkezit. Te Shtëpia e shëndetit ishte hani i Selim Dizdarit dhe Ejup Malishevës. Në fillim të rrugës “Musa Zajmi” ishte shtëpia e Faruk Mustafës-Dizdarit, që ishte mësuesi më i ri, me 16 vjet moshë, i cili ishte fëmi jetim.
Afër shtëpise së Amir Gërxhës ishte Bllaga zdrukthtari, Jup Sahatxhiu, që me 23 prill 1958 shpërngulet në Çorli të Turqisë, duke ia falur dyqanin Vakëfit, pastaj këpuctarët Uzun Mehmeti dhe Mustafa Kufca, gjelltorja e agës Rexhë Ramijanit, në të cilën bëheshin gjellëra “turlifare”. Ëmbëltorja “Egjipti”, barnatorja në kënd ku kishte punuar farmacisti Ante Jerkoviqi me bashkeshorten Anën, që i mbysin me 1942, ndërsa pas vitit 1970 ishte hekurishtorja “Morava”. Aty në afërsi ishte hotel “KRUNA”, e ndërtuar me 1922, që pas 1946-s shndërrohet në furrë ku punonte Nazmi Llashtica, i cili iku në Amerikë; berberhanja e Mahmut Doberqanit, pastaj shtëpia e Muharrem agës që kishte djalë Nurin, të cilët shpërngulen në Stamboll; shtëpia e Hoxha Hanmit, që kishte djalë Mejdi Qebapxhiun të shpërngulur në Ankara.
Si mund të harrohet Makifala, i vrarë me 1945, haxhi Alia, i vrarë në derë të xhamisë! Si mundet të flitet për këtë mëhallë e mos të përmendet Sakine Hanmi, e shpëngulur në Uskedar të Stambollit me 1923, pastaj shtëpia e Vehbi dhe Rexhep Ramijanit, ku me 1942 është mbajtur formimi i seksionit të tretë të rinisë komuniste, që mësuesit tonë me 4 ose 7 korrrik na dërgonin ta vizitonim.
Si mund të harrohet fotografisti Miodrag Trajkoviqi, që kishte fotografuar mësuesit në vitin 1953 , që shpëngulet në Nish. Afër shtëpisë së Tomë Popoviqit ishte stacioni i policisë, ndërsa më vonë në të vendoset shërbimi i kadastrit.
Ah zaman – ah Gilan!
PRIT PAK! DO TA HAPIM SANDËKUN E KUJTIMEVE…! PRIT, KE PAK SABËR (DURIM)…
AH GILAN, AH ZAMAN! AH ÇIFLIK MËHALLË, DO TË SHKRUAJ KATËR HERË PËR TY, SE TI JE PLOT ME KUJTIME NË SHPIRTIN DHE TRURIN TIM!
Fund i vazhdimit të dytë të pjesës së parë.
Autor: Dr. Shevqet Mehmeti/ E përgatiti (redaktoi) për shtyp: N.Buzuku/