Po vazhdojnë investimet në fushën e shëndetësisë në Komunën e Gjilanit, ku gjatë javës së kaluar kanë ndodhur shumë punë e projekte.
Kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni, ka bërë një rekapitulim të javës së shëndetësisë, të cilën e quan javë e jashtëzakonshme me punë e projekte të reja.
Ai tregoi se të hënën përuruan tri laboratore të reja në fshatrat Cërrnicë, Bresalc dhe Miresh.
Të martën vunë gurthemelin të Ambulantës së Mjekësisë Familjare në fshatin Uglar bashkë me disa deputetë, këshilltarë, drejtorë e zyrtarë komunalë.
“Kjo po bëhet me qëllim për ti përmbushur nevojat e banorëve të këtij lokaliteti me shërbime mjekësore”, tha Hyseni.
I pari i komunës, tregoi se të mërkurën kanë takuar 51 profesionistë shëndetësor të angazhuar në nivelin primar të kujdesit shëndetësor, ku diskutuan për sfidat që na presin, me ato që ballafaqohemi dhe mënyrën sesi duhet ti tejkalojmë ato.
“Kjo është një hap i rëndësishëm jo vetëm për Gjilanin, por për tërë Kosovën”, tha Alban Hyseni.
Më tej kryetari tregoi se të enjten vazhduan me vizitat mjekësore nëpër shtëpi, kujdesi paliativ që tashmë është 7 ditë në javë, nga 5 sa ishte dhe nga 6 orë tash është bërë 13 orë në ditë dhe nga një ekip që ishte tashmë kemi tre sosh.
“Kujdes e punë e jashtëzakonshme po bëhet me këtë lloj shërbimi. Këto shërbime janë zgjeruar për shtresën e ndjeshme të qytetarëve të cilët nuk kanë mundësi të marrin shërbimet në qendrat mjekësore”, tha Hyseni.
Kryetari i Gjilanit, tregoi se të premten e kanë mbyll javën me inspektimin e punimeve në ndërtimin e qendrës së kujdesit ditor për të moshuar, bujtinën studentore dhe kuzhinën popullore ku do të ofrohen shërbime për të gjithë ata që kanë nevojë.