Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka refuzuar kërkesën e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, për shpërbërjen e Kuvendit të Komunës dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.
Vendimi u mor pas shqyrtimit të kërkesës, të cilën MAPL e cilësoi si të papajtueshme me ligjin.
Ndaj këtij zhvillimi ka reaguar asamblisti i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gentrit Murseli, i cili thekson rëndësinë e përgjegjësisë dhe thirrjen për veprime të menjëhershme në interes të përgjithshëm.
“Kryetar, ky është apel publik! Për hir të qytetarëve, pranoni shqyrtimin e kërkesave të partive opozitare dhe ofroni një zgjidhje për dalje nga kjo situatë që nuk i sjell dobi askujt”, ka shkruar Murseli.
Kërkesën joligjore për shpërbërjen e Kuvendit, Murseli e cilëson si dështim për zgjidhjen e çështjeve përmes kompromisit.
Ndryshe, kërkesën për shpërbërjen e Kuvendit Komunal, Hyseni e pati bërë para një muaji dhe sipas tij e gjitha kjo erdhi si pasojë e kalimit të afateve ligjore për votimin e buxhetit.
“Tanimë kemi kaluar afatet ligjore për votimin e buxhetit. Duke e parë që Kuvendi Komunal, nuk po arrin të përmbushë detyrat dhe obligimet e tij ligjore, kërkojmë nga ju që duke u bazuar në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, nenin 50 dhe pikën c, për arsye të mosvotimit të buxhetit sipas afatit ligjor, të filloni procedurën e shpërbërjes së Kuvendit Komunal”, pati shkruar kryetari Hyseni./Telegrafi/