Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, së bashku me Prorektorët, priti sot në një takim zyrtar Nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri.
Gjatë takimit, u diskutuan çështje të rëndësishme lidhur me zhvillimin e mëtejshëm të universitetit, përfshirë projektin për krijimin e një kampusi modern. Rektori Dërmaku e informoi z. Haziri për hapat e ndërmarrë deri tani në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës dhe cilësisë së arsimit në universitet, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes institucionale për përmbushjen e këtyre synimeve.
Nga ana e tij, z. Haziri shprehu vlerësimin për angazhimin e Universitetit “Kadri Zeka” dhe kontributin që ky institucion jep për zhvillimin akademik dhe ekonomik të rajonit të Gjilanit. Ai theksoi se do të angazhohet për të mbështetur projektet strategjike të universitetit, veçanërisht ato që lidhen me ndërtimin e kampusit të ri, si një hap i domosdoshëm drejt përmirësimit të kushteve për studentët dhe stafin akademik.
Pas takimit Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku dhe Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, së bashku me Prorektorët, vizituan hapësirat e universitetit për të parë nga afër pjesët e renovuara dhe zhvillimet infrastrukturore.
Gjatë vizitës, Rektori Dërmaku shpjegoi detaje rreth punimeve që janë realizuar për përmirësimin e kushteve në universitet. Ai theksoi se këto renovime janë pjesë e një strategjie më të gjerë për të ngritur standardet akademike dhe për të ofruar një mjedis më të përshtatshëm për studentët dhe stafin akademik.
Nënkryetari Haziri u shpreh i impresionuar me ndryshimet dhe punën që është bërë në universitet. Ai vlerësoi përpjekjet për të modernizuar infrastrukturën dhe u zotua për mbështetje të mëtejshme për projektet që synojnë rritjen e cilësisë së arsimit në rajon.