Ministrës së Drejtësisë, Albulena Haxhiu iu përmend moszbardhja e rastit të vdekjes në burg të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, më 5 nëntor 2016.
Kur e mori fjalën për të folur për punët që tha se janë bërë në dikasterin të cilin ajo e udhëheq, Haxhiu zgjodhi të drejtonte akuza të ashpra ndaj opozitës.
“Fillimisht ju jeni angazhu për me e vra një aktivist politik në burg”, tha Haxhiu.
“Dëshmoje”, “Marre”, u dëgjuan thirrjet nga disa deputetë që reaguan nga ulëset e tyre, ndërsa ministrja vazhdoi nga foltorja: “E pastaj jeni përpjekë që Vetëvendosjen me e shpallë organizatë terroriste…”.
“Ky është qëllimi që e keni pasë. Me e vra një aktivist politik në burg, që u mor në burg pa asnjë provë, dhe pastaj me e shpallë Vetëvendosjen si organizatë terroriste”, tha ajo.
Në akuzat e tjera të saj, ajo e përmendi specifikisht shefin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, i cili nuk hezitoi t’i reagonte.