Nxënësit e klasës së katërt në Kosovë kanë dalë në mesin e atyre që janë renditur më së ulëti në botë për arritjet matematikore dhe shkencore.
Organizata Ndërkombëtare për Vlerësimin e Arritjeve Arsimore (IEA) ka publikuar studimin e fundit ndërkombëtar të njohurive në matematikë dhe shkencë të nxënësve në mbarë botën.
Nga 58 shtete pjesëmarrëse, Kosova është renditur në vendin e 47-të për njohuritë në matematikë, ndërsa në vendin e 55-të për njohuritë në shkencë.
Në rajon, vetëm nxënësit në Bosnjë e Hercegovinë qëndrojnë më keq sesa ata në Kosovë sa i përket njohurive në matematikë. Ndërkaq për njohuritë në shkencë, nxënësit kosovarë janë të fundit.
Nxënësit e Kosovës renditën në pjesën e standardit të ulët, ku përfshihen ata nxënës në botë që thjesht “demonstrojnë të kuptuarit bazë matematikor”. Po në fund, rangohen edhe në mesin e atyre që thjesht “tregojnë dhe zbatojnë njohuritë e disa koncepteve shkencore”.