Kuvendi i Kosovës ka vazhduar punimet në orët e vona të natës, për miratimin me procedurë të përshpejtuar të një sërë projektligjesh në shqyrtim të parë dhe të dytë, njërën prej të cilave u thirr edhe seancë e jashtëzakonshme.
Seanca e rregullt plenare kishte nisur punimet nga ora 14:00 dhe në rend dite kishte 27 pika, por ajo zgjati deri rreth orës 23:50, pas kërkesës së deputetëve të Vetëvendosjes për shmangie të afateve të caktuara për hedhjen edhe në shqyrtim të dytë të një sërë projektligjesh për të cilat u tha se janë me rëndësi për votim.
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë vazhduar punimet në Kuvendi gjatë natës së 5 dhjetorit, pa praninë e asnjë deputeti të opozitës. Ky veprim ka shkaktuar reagime të ashpra nga opozita, të cilët e kanë cilësuar këtë akt si një “puç parlamentar” dhe shkelje të praktikave demokratike.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se “po ndodhë puçi parlamentar dhe shembja e demokracisë”.
“Sonte po ndodhë puçi parlamentar dhe shembja e demokracisë! Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të respektojë procedurat e rregullta të thirrjes së seancave parlamentare. Shmangia nga logjika normale parlamentare në pikë të natës, pa asnjë urgjencë është puç parlamentar dhe kontrabantim i Ligjeve pa konsultimet që i ka obligim ti bëjë Kuvendi”, ka shkruar ai në Facebook.
Edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e ka quajtur “cirk” seancën e mbrëmshme dhe ka kritikuar oraret e vonshme të mbledhjeve, duke cituar se në orën 22:15 ka marrë një ftesë për një mbledhje që supozohej të niste në orën 22:10.
Madje, ajo e ka ironizuar kryeministrin Albin Kurti për deklaratat e tij të mëparshme që kritikonte mbajtjen e seancave gjatë natës.
Pas kritikave, kryetarja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari ka thënë se janë miratuar 18 ligje, janë kompletuar tri borde, janë votuar pesë raporte. Ajo e ka cilësuar të enjten “shumë të suksesshme”.
E gjatë ditës pati edhe zhvillime të tjera në Kuvend. Kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca ndërpreu të enjten seancën për të pamundësuar pjesëmarrjen e ligjvënësve serbë, që u shfaqën në sallë pas një mungese të gjatë.
Kryetari Konjufca akuzoi nëntë ligjvënës të Listës Serbe, partisë së themeluar dhe mbështetur nga Beogradi, për provokim dhe keqpërdorim të parave të taksapaguesve duke u paraqitur vetëm “një herë në gjashtë muaj”. Deputetët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje reaguan po ashtu ndaj paraqitjes së ligjvënësve serbë.
Megjithatë deputetët e Listës Serbe kanë arritur të nënshkruhen, duke vazhduar kështu mandatet./Reporteri.net/