Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se pjesëtarë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – kanë qenë të përfshirë në trazirat e vazhdueshme në veri.
Sveçla nuk ka përmendur ndonjë emër në mënyrë specifike dhe deri më tani autoritetet e drejtësisë nuk kanë ngritur ndonjë aktakuzë ndaj zyrtarëve të lartë të Listës Serbe, ndonëse disa janë ftuar për intervistim për pjesëmarrje në protesta.
Ai ka thënë se mungesa e shtrirjes së plotë të institucioneve vendore në pjesën veriore në të kaluarën, ka mundësuar terren plotësisht të lirë për grupet kriminale dhe çdolloj aktiviteti ilegal.
Ministri Sveçla i ka bërë këto deklarata pas prezantimit të një raporti të Institutit për Siguri dhe Reziliencë – PREVENT, për sigurinë në veri, pas sulmeve në Banjskë të Zveçanit vitin e kaluar, dhe atë në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok në nëntor të këtij viti.
Kosova fajëson Serbinë për këto sulme që i konsideron terroriste, ndërsa Beogradi mohon gjithçka.
“Nuk mund të thotë Lista Serbe se nuk ka qenë e përfshirë në sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, kur asistentë, shoferë, truproje, zyrtarë të Listës Serbe, kanë qenë pjesë aktive e sulmit, janë identifikuar dhe tash një pjesë e tyre janë në arrati”.
Në maj të vitit 2023, protestuesit serbë në Zveçan janë përleshur me pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, duke lënë të plagosur mbi 90 paqeruajtës të misionit, disa të plagosur rëndë.
Sipas ministrit Sveçla, integrimi i strukturave paralele serbe në institucionet e Kosovës, sipas marrëveshjes së Brukselit, ka mundësuar instalim të strukturave që i kanë raportuar Serbisë dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
“Kjo faktohet jo vetëm me dorëheqjen e orkestruar të pjesëtarëve serbë nga Policia e Kosovës dy vjet më parë, të cilët me uniformë policore, me pagë të Policisë së Kosovës, dhe me armë zyrtarë të policisë u kanë shërbyer politikave destabiluzuese të Serbisë”.