Në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ditën e sotme u diskutua edhe për mbylljen e platformës “TikTok”, shkruan Reporteri.net.
Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha tha se TikToku ka dalë jashtë kontrollit në Kosovë, dhe se është më i dëmshmi.
Ai tha se duhet menduar për ta reduktuar ose ndaluar si shtet.
“Tani janë shumë aplikacione edhe Tiktoku është njëri nga ato rrjete që është krejt jashtë kontrollit, është më i dëmshmi. Nëse SHBA ndjehet e rrezikuar nga kjo platformë, atëherë Kosova e vogël do të jetë nuk do të jetë e rrezikuar por do të jetë mbulur krejt, ja determinojnë edhe jetën e përgjithshme. Këtu duhet të mendojmë për reduktimin e tij ose ndalimin e tij, duhet të mendojmë si shtet në këtë formë”
“Sa jemi të pajisur nga këto vërshime të këtyre aplikacioneve që konsiderohen të dëmshme dhe a kemi ndonjë kampanjë ndërgjegjësimi për qytetarë për përdorimin e këtyre aplikacioneve, deri ku shkohet, cilat janë efektet. Mendoj se nëse shohim në këto rrjete, në TikTok, se aty ka insinuata nga më të rëndësishmet”, tha Berisha derisa mori edhe një shembull se çfarë i kishin dërguar atij, një video po nga TikToku.
Por lidhur me këtë diskutim, nuk u pajtuan deputetët e opozitës.
Ata kërkuan që të flitet vetëm për rendin e ditës që ishte miratimi i planit të performancës së AIP-it, ku dhe u votua e më pas u larguan nga salla.