Këtë javë luhet xhiroja e parafundit e cila përmbyll stinorin vjeshtor në Superligën e Kosovës shkruan Radio Star.
Padyshim, e gjithë vëmendja e kësaj xhiroje do të jetë në Gjilan, ku do të zhvillohet derbi më i madh kosovar, ‘El-Anamorava’.
Gjilani do të luajë si vendas kundër Dritës këtë të diel.
Skuadra e Nuhiut, e cila nisi sezonin me pritshmëri të mëdha pas afrimeve të lojtarëve me emra të njohur, nuk po kalon një formë të mirë. Pas 16 xhirove, ajo ka grumbulluar vetëm 18 pikë dhe ndodhet në pozita të vështira në tabelë.
Në anën tjetër, skuadra e Ramadanit ka grumbulluar 37 pikë pas 16 xhirove dhe mban vendin e parë në tabelë, duke u konsideruar favorite për titullin kampion. Drita ka një diferencë prej 8 pikësh nga vendi i dytë.
Në xhiron e fundit, Gjilani barazoi si mysafir ndaj Prishtinës, ndërsa Drita shënoi fitore ndaj Dukagjinit.
Derbi i Anamoravës është përballja e dytë midis dy skuadrave këtë sezon. Në ndeshjen e parë, ato u ndanë baraz.
Për shkak të mungesës së një stadiumi të madh në Gjilan, këtë herë në shkallët e stadiumit do të jenë të pranishëm vetëm tifo-grupi i Gjilanit, ‘Skifterat’, ndërsa ‘Intelektualët’ nuk do të kenë mundësi të ndjekin ekipin e tyre për shkak të kapacitetit të kufizuar të stadiumit ndihmës.
Ndeshja do të zhvillohet këtë të diel, në orën 13:00, në stadiumin me bar sintetik në Gjilan./radiostar/