Shërbimet e administratës për qytetarët vazhdojnë të përmirësohen çdo vit e më shumë. Krahas ofrimit të shërbimeve më efikase për qytetarët, po ashtu janë shënuar rezultate të prekshme edhe në infrastrukturë.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se njëri ndër projektet më të rëndësishme të Drejtorisë së Administratës së Përgjithshme, është edhe përfshirja e sa më shumë qytetarëve në vendimarrrje e planifikim në kuadër të buxhetimit me pjesëmarrje i ndihmuar nga USAID-i.
Më tej ai tregoi se në 14 takime janë marrë propozimet për projektet që do të zhvillohen në vitin 2025, duke përfshirë: terren sportiv në Kravaricë, parqe në Malishevë, Velekincë dhe në Livoç, ndriçim në lagjen “Reshat Ymeri” për komunitetin rom, asfaltim i rrugëve në Dobërçan për komunitetin turk dhe sallë sportive në Shillovë për komunitetin serb.
“Drejtoria e Administratës së Përgjithshme, ka përfunduar me sukses projektin e regjistrimit të popullsisë bashkë me Agjencinë e Statistikave . Regjistrimi ka shkuar shumë mirë. Komuna e Gjilanit është renditur e katërta për nga numri i banorëve”, tha Hyseni.
I pari i Gjilanit, theksoi se punët e kësaj drejtorie janë shumë të rëndësishme dhe kjo është arritur falë angazhimeve të mëdha që po bëjnë zyrtarët e saj që qytetarët të marrin shërbime sa më të lehta.
Më tej kryetari Alban Hyseni, tregoi se Drejtoria e Administratës, ka kontribuar gjithashtu në aktivitetet e riorganizimit të arkivës, planin e integritetit, e-pasurinë, menaxhimin e kontratave përmes platformës e-prokurimi dhe reduktimin e barrës administrative.
“Ne po vazhdojmë të shënojmë progres në infrastrukturë dhe po ashtu edhe në ofrimin e shërbimeve për qytetarët”, tha Alban Hyseni.
Kryetari i komunës, tregon se në proces janë projekti E-komunat, zhvillimet e moduleve të digjitalizimit të shërbimeve për grante dhe subvencione. Rinovimi në administratë, ku do përfshihen vendosja e ashensorit, rregullimi i nyjeve sanitare dhe përshtatja e dyshemesë për persona me nevoja të veçanta. Standardizimi i adresave dhe se për ndërlidhjen e qytetarit me adresën në sektorin e Gjendjes Civile janë shtuar tre sportele për zyrtarë nga Agjencioni Kadastral i Kosovës.
Sipas tij edhe digjitalizimi i shërbimeve – E-Kiosku është modifikuar për shërbime direkte në E-Kosova dhe aty mund të kryhen shërbime të shpejta.