Është paralajmëruar, për nesër, vizita e kryeministrit Albin Kurti në Gjilan, për të marrë pjesë në eventin festiv ‘Knaqësi n’Fundvit’. Por, për Kushtrim Kadriun, kryesuesin e Kuvendit Komunal të Gjilanit, kjo vizitë nuk është e mirëpritur.
“Albin Kurti, nuk jeni i mirëseardhur në Gjilan. Nuk keni punu asgjë për Gjilanin. Megjithatë, nëse vjen, merr qirinjtë me veti se të duhen në qytetin e balldeskokracisë”, thotë Kushtrim Kadriu.
Siç thotë ai, “kryeministri në largim z. Kurti paska paralajmëruar vizitë në qytetin tonë me rastin e “Festivalit të Kënaqësisë”. Tybe, bash ti z. Kurti po na duhesh se na ka lonë lezet gjatë qeverisjes suaj. More vota me bollëk po punës kah Gjilani nuk ia bane vi”.
I pari i Kuvendit Komunal të Gjilanit ia ka përmendur autostradën, që nuk është përfunduar, Urën e Badovcit, që siç thotë kryesuesi Kadriu, “mezi për tri vjet e afrove deri diku”, pastaj “stadiumin e qytetit që nuk e përfundove, impiantin e ujërave të zeza as nuk e nise, shkolla të reja jo, çerdhe jo, vende të reja pune jo se jo. Veç me burgun punove diçka”.
“E tani kur kanë ardhur mërgimtarët, vjen në Gjilan, që pas 18 vjetësh iu është kthyer agregatëve”, thotë në reagimin e tij, Kushtrim Kadriu, kryesues i Kuvendit Komunal të Gjilanit.