KOSST ka njoftuar se është rikthyer furnizimi me energji elektrike në Gjilan, shkak ishin punimet në atë pjesë.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, rreth dy orë më parë njoftoi se gjilanasit kanë mbetur pa rrymë për gati 30 orë, ndërsa KOSST, përmes një njoftimi në Facebook thotë se ndërprerja ishte e domosdoshme për shkak të ndërrimit të pajisjeve.
“Furnizimi me energji elektrike në Gjilan është rikthyer pas përfundimit të punimeve në asetet 110 kV në Nënstacionin Gjilani 1. Punimet, të cilat përfshinin ndërrimin e pajisjeve, janë kryer në kuadër të planit investiv të KEDS për përmirësimin dhe modernizimin e rrjetit energjetik.
Ndërprerjet e furnizimit ishin të domosdoshme dhe të lidhura ekskluzivisht me këto punime të realizuara nga KEDS, si pjesë e përpjekjeve për të siguruar një furnizim më të qëndrueshëm dhe efikas për konsumatorët”, tha KOSST.
Në temperatura të ftohta, shumë pjesë të Kosovës ditëve të fundit po përballen me reduktime të energjisë elektrike.
Ndalja e energjisë elektrike po thuhet të jetë për arsye të mbingarkesës për shkak të konsumit të lartë të energjisë elektrike nga ana e konsumatorëve në këto kohë, pas motit me temperatura të ulëta.
Mungesa e energjisë ka nxitur reagime të shumta të opozitës, shoqërisë civile dhe qytetarëve.
Problemet me furnizim me energji elektrike, pritet të vazhdojnë edhe javën e ardhshme.