Sa studentë priten të pranohen në nivelin bachelor në Gjilan
Universiteti i Gjilanit “Kadri Zeka” pritet që në vitin e ri akademik 2018/2019 të pranojë rreth 1 mijë e 200 studentë në nivelin bachlor dhe rreth 160 në nivelin master.
Kërkesa për këtë i është dërguar Ministrisë së Arsimit, e cila pritet që ta miratojë së shpejti. Ndërkohë, shqetësim mbetet interesimi i kandidatëve nga Lugina e Preshevës, pasi diplomat e tyre nuk njihen nga shteti ku jetojnë.
Hapja e konkursit për pranimin e studentëve të rinj në Universitetin e Gjilanit, ende nuk është vendosur, pasi pritet që Ministria e Arsimit të miratojë propozimet e universiteteve publike për numrin e studentëve që do të pranohen në vitin e ri akademik.
Ndërkohë, në mbledhjen e rektorëve është vendosur që data e konkursit do të jetë e njëjtë për të gjitha universitetet publike. Prorektorja për Mësim në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, Shpresa Qamili, tha për Radio Kosovën se pritet që në vitin e ri akademik 2018/2019 të pranohen rreth 1 mijë e 200 studentë në nivelin bachlor dhe rreth 160 në nivelin master.
Ajo tha se për këtë vit është zvogëluar numri i studentëve në disa programe. “Ne vazhdimisht po kërkojmë që të bëjmë sigurimin e cilësisë në universitetin tonë. Në disa programe është zvogëluar numri për 20 kandidatë. Duke përmendur numrin e përgjithshëm të studentëve, dua të veçoj se ky numër i studentëve për studimet bachelor përmbledh disa programe të cilat i kemi të ri-akredituara në Fakultetin e Edukimit, Fakultetin Ekonomik, Fakultetin Juridik dhe Fakultetin e Shkencave Kompjuterike.”
Si çdo vit tjetër, Universiteti i Gjilanit ndan kuota edhe për kandidatët nga Lugina e Preshevës, ku për sivjet është paraparë të pranohen rreth 140 studentë të rinj në nivelin bachelor. Prorektorja Qamili, tha se ende mbetet shqetësues interesimi i vogël i tyre, pasi kanë vështirësi me njohjen e diplomave.
“Shqetësimi ynë është se diplomat që ata marrin në universitetet tona, respektivisht në Universitetin “Kadri Zeka”, nuk po u njihen në Republikën e Serbisë. Megjithatë, kemi studentë të interesuar nga Lugina e Preshevës, pasi disa prej tyre pretendojnë të punësohen edhe në Kosovë.
Prorektorja Qamili, bëri të ditur se risi për vitin e ri akademik është programi master për Qeverisje Lokale dhe Shoqëri Demokratike, i cili do të zhvillohet në bashkëpunim mes tri universiteteve publike, Gjilanit, Prizrenit dhe Pejës, ku studentët do të ndjekin studimet e tyre në këto tri universitete të shpërndarë në semestra.