Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në ora 22:12 ka përditësuar të dhënat e rezultateve nga numërimi i votave për subjektet politike.
Nga 2 mijë e 533 vendvotime janë procesuar votat e 2 mijë e 526 prej tyre. Kanë mbetur pa u procesuar online votat edhe nga shtatë vendvotimet e fundit.
Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të jetë e para me 40.84 për qind, apo 341 mijë e 672 vota, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Në vend të dytë vazhdon të jetë Partia Demokratike e Kosovës me 22.05 për qind, apo 184 mijë e 499 vota.
Lidhja Demokratike ka 17.67 për qind, apo 147 mijë e 827 vota.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sipas këtij përditësimi ka 62 mijë e 309 vota ose 7.45 për qind.
Lista Serbe ka deri më tani 38 mijë e 83 vota, ose 4.55 për qind.
Koalicioni për Familje ka 18 mijë e 905 vota ose 2.26 për qind.
Kujtojmë që ende nuk janë numëruar votat me kusht dhe ato të personave me aftësi të veçanta.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se janë 13 mijë e 801 vota me kusht dhe 2 mijë e 597 vota të personave me nevoja të veçanta.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një deklarim për gazetën online Reporteri.net ka bërë të ditur se sipas procedurave të KQZ-së, këto zarfe me fletvotime do t’i nënshtrohen verifikimit, i cili përfshin krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta.
“Numri i zarfeve me flëtëvotime me kusht të cilat janë pjesë e votimit me kusht nga dita e zgjedhjeve më 9 shkurt në 38 qendrat e votimit me kusht është: 12,801 vota. Sipas procedurave të KQZ-së, këto zarfe me fletvotime do t’i nënshtrohen verifikimit, i cili përfshin krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta. Ndërkaq, numri i votave të personave me nevoja të veçanta është: 2,597 vota.”, ka thënë Elezi. /Reporteri.net.