Janë bërë dy javë prej kur Kosova iu nënshtrua procesit zgjedhor për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të parat qysh pas pavarësisë që u mbajtën në afat të rregullt kohor.
42.56 ishte përqindja e qytetarëve që iu përgjigjen këtij procesi zgjedhor, të dielën e 9 shkurtit, apo 838 mijë e 763 persona hodhën votën e tyre në kuti, në 38 komuna të Kosovës.
Derisa puna e qytetarëve përfundoi me të hedhur votat e tyre në kuti, për KQZ-në vetëm sa kishte filluar puna.
Përballja e parë ishte me mosfunksionimin e platformës online në kohën kur duhej të procesoheshin rezultatet preliminare pas mbylljes së Qendrave të Votimit në vend. Kompania mirëmbajtëse kishte thënë se faqja e internetit të KQZ-së, së bashku me infrastrukturën tjetër qeveritare, ka qenë shënjestër e sulmeve kibernetike të vazhdueshme.
Se kishte sulm kibernetik atë ditë, e tha edhe numri dy i qeverisë në detyrë, Besnik Bislimi në Poloni, në një tryezë ku pikërisht ministra për çështje evropiane nga rajoni dhe Evropa u mblodhën për të folur për “Kërcënimet hibride ndaj procesit të zgjerimit dhe kundërpërgjigja potenciale ndaj tyre”.
Me këtë çështje nisi të merret edhe prokuroria e cila menjëherë i kërkoi KQZ-së informacione të nevojshme për ta vërtetuar nëse kishte elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale apo jo.
E problemet me sistemin vazhduan edhe kur nisi numërimi i votave për kandidatë në Qendrat Komunale të Numërimit, proces ky që për herë të parë u bë në 38 komuna bazuar në Ligjin e ri për Zgjedhjet.
Me gjithë telashet në fillim, sistemi arriti të funksiononte e numërimi i votave për kandidatët që garuan për ulëse në Kuvend në zgjedhjet e shkurtit vazhdoi deri të premten që lamë pas, kur përfundoi për plot 2533 vendvotime, sa kishte në total.
Por, kandidatët sikurse edhe subjektet politike presin edhe numërimin e votave nga diaspora, që pritet të nisë gjatë javës së ardhshme meqë verifikimi i tyre, sipas konfirmimeve të KQZ-së është drejt fundit.
Pas tyre, do të jetë radha e numërimit të votave me kusht e atyre të dhëna nga personat me nevoja të veçanta.
Janë gjithsejtë 12 mijë e 801 fletëvotime me kusht ndërsa 2 mijë e 597, numërim i cili do të behet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Vetëm pasi të përfundojë numërimi i secilës prej këtyre votave, KQZ-së do t’i hapet rruga për shpalljen e rezultateve përfundimtare, e pastaj certifikimin e tyre.