Ish-komandanti i UÇK-së në Rahovec, Ismet Tara, ka nisur dëshminë në rastin më të madh në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku po gjykohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Megjithatë, seanca ku po dëshmon Ismet Tara, i njohur si komandant “Hoxha”, është shoqëruar me tensione. Tara ka refuzuar të japë dëshmi pa u paraqitur një dokument, të cilin ai e cilëson si vendimtar për integritetin e tij.
Në deklaratën e tij, Tara theksoi se dokumenti në fjalë e përshkruan atë si “tradhtar i kombit, duke shtuar se nuk do të japë asnjë përgjigje deri sa të shqyrtohet dhe të pastrohet emri i tij.
“Unë kam një kërkesë për gjyqtarin para se të dal prej këtu. Unë pa kësaj dëshiroj prej gjykatësit, të më paraqitet dokumenti im, në të cilin kam ngritur dyshimet e mija në lidhje me intervistën time para hetuesve në 2019”.
“Mund të kërkoni ju çdo gjë, por unë prej këtij momenti në qoftë se ai dokument që ka ngritur shqetësimin tim, që ka rrezikuar jetën dhe të 10 familjarëve të mi dhe që në atë dokument jam përshkruar si tradhtar i kombit, tradhtar i UÇK-së, tradhtar i dëshmorëve dhe i heronjve të mi dhe gjithë asaj popullate të masakruar dhe të larguar nga Kosova. Unë nuk do të japi asnjë njohur pa shqyrtuar ky dokument. Dhe pa u pastruar komandat Hoxha. Ta dini që prej këtij momenti nuk flas asgjë. Mund të më thirrini, seanca do të mbyllet që këtu. Ose do të vazhdoni, un asnjë përgjigje nuk do të flas derisa nuk shqyrtohet dokumenti”, ka thënë Tara në Speciale.
Gjykatësi i kërkoi të vazhdonte dëshminë, por Tara deklaroi se nuk do të fliste më derisa dokumenti të shqyrtohej
“Sot përgjigju pyetjeve zoti Tara. Kur të përfundosh dëshminë, do të japim mundësim të bësh një deklaratë”, ka thënë gjykatësi.