Kryeministri Albin Kurti pas homazheve në kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz në kuadër të shënimit të 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, ka thënë se kjo ngjarje shënoi kryengritje, solidarizim e vetëdijësim.
Kurti duke përmendur figurat e familjes Jashari, tha se ata kanë vetëm ditëlindje, teksa rënia e tyre është vetë Epopeja e UÇK-së.
“Epopeja e UÇK-së i dha një hov të pandalshëm kryengritjes së armatosur dhe luftës çlirimtare, shpërthyen demonstrata gjithëpopullore dhe solidaritet i paparë historikisht ndërmjet shqiptarëve në Ballkan, por edhe gjithandej në mërgatë. Njëkohësisht u vetëdijesua e ndërgjegjësua edhe publiku shqiptar e diplomacia botërore. Tash ndonëse nuk e kemi kryekomandantin Adem Jashari, bacën Shaban e Hamzën dhe të gjithë të tjerët që u sakrifikuan para 27 vjetëve, e kemi bacën Rifat që do ta vizitojmë me shtëpinë plotë nipa e mbesa. Por mbi të gjitha e kemi Kosovën Republikë, me demokraci e zhvillim”, ka thënë kryeministri.